Lidhje

Ramush Haradinaj rizgjidhet në krye të AAK-së


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u rizgjodh sot në krye të kësaj partie, të cilën e drejton që nga themelimi i saj. Mbi 400 delegatë të kësaj partie votuan për zgjedhjen e zotit Haradinaj, që ishte edhe kandidati i vetëm për këtë post.


Duke falënderuar delegatët zoti Haradinaj tha se Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, duke vënë në radhë të parë interesat e qytetarëve. Zoti Haradinaj tha se Kosova ka mundësitë më të mëdha ekonomike në rajon dhe së këndejmi zhvillimi ekonomik duhet të jetë përparësi e institucioneve, për t’i dhënë fund varfërisë dhe papunësisë në vend.


Ramush Haradinaj, u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për krime luftë në hapësirat e ish Jugosllavisë në nëntor të vitit të kaluar, për të dytën herë me radhë. Në dhjetor të vitit 2004 ai mori postin e kryeministrit të cilin e ushtroi vetëm 100 ditë, meqë dha dorëheqje për shkak të ngritjes së një aktakuze për krime lufte në mars të vitit 2005.


Kuvendi i sotëm zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po zhvillohet pas një procesi tremujor të zgjedhjeve në strukturat e kësaj partie.

XS
SM
MD
LG