Lidhje

KPJ: Në veri nuk duhet përjashtuar forca


Klubi për politikë të jashtme thotë se qeveria serbe do të provojë të shkëpusë veriun e Kosovës


Klubi për Politikë të jashtme në Kosovë, një organizatë që drejtohet nga publicisti Veton Surroi, shprehu sot shqetësimin se autoriteti i Prishtinës nuk mund të shtrihet në veri pa përfshirë edhe përdorimin e forcës.

Këto komente u bënë gjatë prezantimit të një studimi për veriun e Kosovës dhe zhvillimet e fundit rreth asaj zone, që po përmendet gjithnjë e më shpesh si temë e bisedimeve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Alban Bokshi, nga Klubi për politikë të jashtme, tha se veriu për 13 vjet është trajtuar si tokë e huaj nga Prishtina, ndërsa është lejuar forcimi i pranisë dhe ndikimit të Beogradit në atë zonë. Ai tha se operacioni i para një viti për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare në veri, vetëm sa e përshpejtoi vënien e veriut në tryezë të bisedimeve, ndërsa tash po ringjallet plani gjashtë pikësh i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon dhe ish presidentit serb, Boris Tadiç, që nënkupton negociata për policinë, drejtësinë, doganat e infrastrukturën në veri.

Nëse arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë plan gjashtë pikësh, ose ky do të jetë baza mbi të cilën do të negociohet, atëherë ne faktikisht po hyjmë në negociata për status. Dhe mund të shohim se Serbia do të vazhdojë me planin e saj. Qeveria e re që ka ardhur në pushtet do të provojë ta shkëpus veriun dhe ndoshta ta ndryshojë edhe konfigurimin e brendshëm të Kosovës”, tha zoti Bokshi.

Klubi për politikë të jashtme vlerëson se qeveria e Kosovës po ndërmerr hapa të vegjël dhe të pamjaftueshëm për situatën në veri, ndërsa përjashtimi i mundësisë së përdorimit të forcës, e vë atë në pozitë më pak të favorshme për zgjidhjen e çështjes së veriut. Forca, tha zoti Bokshi, është pjesë e domosdoshme e përpjekjeve për vendosjen e autoritetit në zonë.

Nëse do Kosova të vendoset në veri, po. Nuk ka mënyrë tjetër, se me negociata jemi në pozitë të pabarabartë me Serbinë. Serbia është atje, ne nuk jemi. Serbia është shtet në të pjesë. Kosova nuk është. As KFOR-i nuk është, as EULEX-i, e UNMIK-u as që ka qenë ndonjëherë. Dhe nëse ka ndonjë mundësi që Kosova ta rivendosë veten atje, atëherë është përdorimi i forcës. Jo dëbimi i qytetarëve atje, jo një aksion “oluja” (stuhia), por, siç do të vepronte secili shtet për të konsoliduar autoritetin e vet në një pjesë të territorit. Në atë kuptim përdorimi i forcës. Zgjidhje tjetër nuk ka”, tha zoti Bokshi, organizata e të cilit është e bindur se në negociata, veriu do të fitojë të paktën një shkallë të autonomisë.

Kjo mundësi është hedhur poshtë nga autoritetet në Kosovë, që thonë se janë të gatshme të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por pas zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash.

Beogradi kërkon ngritjen e shkallës së bisedimeve, madje është thënë se do të jetë presidenti serb Tomislav Nikoliç ai që mund t’i prijë delegacionit serb. Ai u ka thënë medieve serbe se gjate muajit gusht pritet te arrihet një konsensus për çështjen e Kosovës dhe gjatë bisedimeve “do t’u ofrojë shqiptarëve të Kosovës, statusin që kanë gjermanët në Belgjikë”. Prishtina përjashton çdo mundësi të diskutimit për çështje të brendshme të Kosovës.

Mediet në Kosovë shkruajnë se vjeshta mund të jetë periudhë e takimeve në nivelin më të lartë politik.

Paralajmërimet për bisedime të tilla, tashmë kanë ngritur edhe debatet lidhur me ri renditjet në skenën e brendshme politike, në funksion të përballimit të sfidës së bisedimeve për veriun, të cilat tashmë për shumëkënd, duken të pashmangshme.
XS
SM
MD
LG