Lidhje

Kosovë: Në pritje të strategjisë për zhvillim ekonomik


Kosovë: Në pritje të strategjisë për zhvillim ekonomik
Kosovë: Në pritje të strategjisë për zhvillim ekonomik

Drejtuesit e gjashtë ministrive të qeverisë së Kosovës janë mbledhur në një vendpushim në Bullgari për të hartuar një program të zhvillimi ekonomik të Kosovës. Hartimi i këtij programi që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, nga zyrtarët e qeverisë shihet si një hap për përcaktimin e kuadrit të qartë të rimëkëmbjes ekonomike të shtetit të ri.

Por, ky veprim në Prishtinë shihet në mënyra të ndryshme nga ekspertët e ekonomisë dhe një pjesë e politikës.

Një pjesë e opozitës tha se kjo dëshmon qartë se qeveria është zgjedhur pa program qeveritar dhe vendimet që merren në bazë të rrjedhave ditore e jo në bazë të një plani strategjik, e kanë sjellë Kosovën para kolapsit ekonomik.

Ekspertët ndërkaq shpresojnë se hartimi i strategjisë është një lajm i mirë sepse ekonomia nuk mund të rimëkëmbet pa një plan të qartë. Safet Gerxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se tash institucionet e Kosovës duhet të orientohen drejt zhvillimit ekonomik.

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik sikur deri më sot me aktivitete të cilat aktualizohen në takimet e mëngjesit, është koha kur duhet të kemi vizion të qartë ekonomik. Se çfarë do të jetë ky vizion ekonomik do të jemi me siguri dëshmitar të debateve të cilat na presin të ardhmen, mirëpo është koha që prioritet i prioriteteve për Kosovën duhet të caktohet ekonomia dhe besoj që në këtë drejtim më në fund mesazhet janë ato, në qoftë se në këtë drejtim nuk do të punojmë më tepër atëherë çfarë do të jetë e ardhmja e Kosovës në aspekte të ndryshme”, tha zoti Gërxhaliu.

Ndërkaq Lekë Musa nga Oda ekonomike amerikane ne Kosovë mirëpret hartimin e një strategjie të munguar.

“Një gjë e tillë duhet përshëndetur sepse deri më tani Kosova thjesht mund të themi nuk ka pasur një vizion dhe një strategji të zhvillimit ekonomik, thjesht nuk janë identifikuar apo përcaktuar ato segmente se në çfarë drejtimi duhet drejtuar potencialin dhe burimet ekzistuese dhe deri sa në njërën anë mund të kritikojmë partitë politike dhe politik bërësit në Kosovë për mungesë të një plani të tillë, mendoj se duhet ta përshëndesim një iniciativë të tillë, mirëpo në të njëjtën kohë duhet të merremi edhe me vet thelbin që të shohim se çfarë ata (Qeveria e Kosovës) kanë planifikuar dhe çfarë kanë paraparë me këtë plan strategjik”, tha zoti Musa.

Hartimi i strategjisë ekonomike, sipas ekspertëve do të duhej t’i nënshtrohej një debati më të gjerë.

“Ndoshta vendi për kritik është këtu sepse fillimisht një plan i tillë do të duhej të ndërtohej nga baza, domethënë me një konsultim më të gjerë me komunitetin e biznesit, me ata të cilët në fakt janë duke bërë biznes, duhet dëgjuar investitorët vendor dhe të shihet se ku janë problemet dhe ku ballafaqohen ato me probleme, në çfarë lloj drejtimesh duhet liruar këto burime dhe potenciale ekonomike pastaj të diskutohet e të debatohet edhe me shoqërinë më gjerësisht me akademinë dhe të ndërtohet një plan i tillë”, tha zoti Musa.

“Është më se e vërtet se çdo plan ka nevojë për reformim apo opinione të ndryshme dhe në këtë drejtim vet fakti që do të bisedohet në këtë mënyrë qysh është shtruar nga gjashtë dikaster për të caktuar ato parashikime buxhetore që do të jenë me siguri ato që do të kompletohen më tepër. Mirëpo është e vërtet që sa më tepër opsione që do të vihen në tavolinë, modaliteti i zgjidhjes së një vizioni do të jetë më i begatshëm”, tha zoti Gërxhaliu.

Zoti Musa thotë se Kosova ka disa shtylla të rëndësishme mbi të cilat do të mund të mbështetej rimëkëmbja ekonomike, përfshirë burimet njerëzore e natyrore dhe vendndodhjen e saj gjeografike. Por ai tërheq vërejtjen në mënjanimin e pengesave për krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e tregut në Kosovë.

“Mirëpo, ajo çfarë është e rëndësishme duhet të eliminohen të gjitha barrierat ekzistuese në ekonominë e Kosovës dhe para se gjithash që të krijohen kushte të barabarta për të gjithë në treg. Në rend të parë duhet të luftohet krimi i organizuar e korrupsioni edhe të gjithë ata që janë të interesuar të bëjnë biznes në Kosovë të hyjnë në këtë garë të barabartë”, tha zoti Musa.

Studimet flasin për një situatë jo të mirë ekonomike në Kosovë dhe rritja ekonomike prej 5 për qind nuk mjafton për përmirësimin e gjendjes sociale dhe zvogëlimin e papunësisë që përfshinë gati gjysmën e popullsisë. Ekspertët thonë se për të përmirësuar këtë gjendje, shtetit të ri i duhet të paktën dyfishi i rritjes ekonomike.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG