Lidhje

Kosovë: Nënshkruhet marrëveshja për qeverinë e koalicionit


Kosovë: Nënshkruhet marrëveshja për qeverinë e koalicionit
Kosovë: Nënshkruhet marrëveshja për qeverinë e koalicionit

Udhëheqësit e Partisë Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re, Hashim Thaçi e Behxhet Pacolli nënshkruan sot marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Nënshkrimi pasoi dakordimin e Partisë Demokratike që t’i jap postin e presidentit Aleancës Kosova e Re e cila kishte kushtëzuar përfshirjen në koalicionin qeverisës me këtë post për të cilin ajo e ka kandiduar kryetarin e saj Behxhet Pacolli. Zoti Thaçi dhe zoti Pacolli thanë se kjo marrëveshje i siguron Kosovës krijimin e institucioneve të reja që do të çojë përpara proceset politike në vend.

“Kjo marrëveshje, ky koalicion është një koalicion për Kosovën e re, për zhvillimin e Kosovës, për reformat demokratike, për ndërtimin e shoqërisë shumetnike, për krijimin e vendeve të reja të punës, për Kosovën evropiane, për Kosovën në paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonale dhe perspektivë evropiane, për Kosovën që do të ndodhë liberalizimi i vizave, e gjithashtu për Kosovën për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE”, tha zoti Thaci.

”Që nga tani bashkë me PDK-në, bashkë me ekspertët e AKR-së, bashkë me anëtarët tjerë të koalicionit jemi betuar që të punojmë vetëm për interesat e qytetarit të Kosovës, për interesat e ndërtimit të një shteti dinjitoz, e një shteti për të gjithë qytetarët e Kosovës, e shtetit të Kosovës”, tha zoti Pacolli

Sipas marrëveshjes, Aleancës Kosova e Re përveç postit të presidentit do t’i takojnë edhe tre ministri, një post zëvendëskryeministri dhe pesë poste zëvendësministrash.

Po ashtu gjatë ditës, zoti Thaçi nënshkroi marrëveshje koalicioni edhe me partitë e pakicave kombëtare. Sipas kësaj marrëveshjeje Partisë së Pavarur Liberale serbe do t’i takojnë tre ministri, tre zëvendësministra dhe posti i një zëvendëskryeministri, ndërsa Grupit Gjashtë Plus që mbledh rreth vetes pakicat e tjera do t’i takojë një ministri.

Nënshkrimi i marrëveshjeve të sotme ka hapur mundësinë që presidenti e qeveria e re të hidhen për votim në Parlament të hënën kur edhe zhvillohet seanca e parë e parlamentit të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Partitë opozitare kritikuan vendimin e Partisë Demokratike me të cilin ajo siç thuhet mund të sigurojë shumicën e thjeshtë parlamentare, por jo edhe qëndrueshmërinë aq të nevojshme politike për të përballuar sfidat që ndodhen para Kosovës.

XS
SM
MD
LG