Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës, bllokuan sot për rreth dy orë, rrugët kryesore të zonës, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në atë pjesë.
Policia e Kosovës tha se gjatë orëve të paradites, “grupe qytetarësh, konsiderohet të jenë tubuar me qëllim të bllokimit të rrugëve kryesore për qarkullim në këto zona si shenjë proteste kundër shtrirjes së institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj vendimit për heqjen e mbikqyrjes së pavarësisë”.
Gjatë protestës e cila kaloi pa incidente, përfaqësues lokalë të serbëve në veri thanë se në këtë mënyrë duan t’i dërgojnë mesazh komunitetit ndërkombëtarë se nuk do të pranojnë institucionet e Kosovës.
Protestat pasuan vendimin e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Vendimi, i cili nga autoritetet në Prishtinë u cilësua si një hap historik, nuk është komentuar nga Beogradi, ndërsa një pjesë e përfaqësuesve serbë në Kosovë, thanë se ai ishte i hershëm për shkak të situatës në vend.
Përmbyllja e mbikqyrjes është vendosur, pavarësisht se plani i zotit Ahtisaari, nuk është zbatuar në tërësi, për shkak të refuzimit të serbëve në veriun e Kosovës.
Grupi drejtues ndërkombëtarë tha të hënën se “e njeh themelimin Zyrës Administrative për Mitrovicën e Veriut nga Qeveria e Kosovës si një hap konkret dhe të mirëpritur për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të saj në Mitrovicën e Veriut”.
Shefi i grupit ndërkombëtar, Pieter Faith, kishte deklaruar më herët se mbikëqyrja e pavarësisë do të përfundojë brenda vitit dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së veriut të Kosovës, do të mbetet në duart e mekanizmave të tjerë vendas e ndërkombëtarë. Ai shfaqi shpresën se qasja e serbëve në veri do të ndryshojë.
Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtar për Kosovën dhe vunë zotin Pieter Faith, në postin e mbikqyrësit të pavarësisë, e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.