Lidhje

Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës në veri


Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës në veri
Kosovë: Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e krizës në veri

Komandanti i trupave paqeruajtëse të NATO-s, gjenerali Erhard Buhler, është takuar me përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, për të rishikuar projektmarrëveshjen e hartuar dy ditë më parë, për tejkalimin e gjendjes aktuale në veri, e cila ishte hedhur poshtë nga qeveria e Kosovës. Takimi i cili ka zgjatur për rreth pesë orë, është mbajtur në kampin e KFOR-it në komunën e Leposaviqit, mirëpo asnjëra palë nuk kanë dashur të flasin për këtë takim.

Projektmarrëveshja e arritur ndërmjet KFOR-it dhe përfaqësuesve të Beogradit, parasheh që “në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe në Bërnjak, sistemi i tanishëm i kontrollit do të vazhdojë i pandryshuar deri në mesin e muajit shtator 2011”. Sipas kësaj marrëveshjeje “veturat, kamionët me peshë deri në 3.5 tonelata dhe kamionët që transportojnë ndihma humanitare, përfshirë edhe ushqimet, mund të kalojnë pas kontrollimit të identitetit dhe atij për armë. Bllokadat rrugore do të hiqen dhe liria e lëvizjes do të rivendoset”.

Por, marrëveshja trepikëshe u cilësua e papranueshme nga qeveria e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, është takuar me komandantin e KFOR-it për të diskutuar këtë situatë dhe siç thuhet, “është konstatuar se nuk ka kthim prapa, se do të vazhdojë kontrolli i plotë vendkalimeve kufitare, se është e domosdoshme të hiqen bllokadat rrugore dhe të krijohen kushtet e sigurisë për të gjithë qytetarët në veri”.

Kryeministri Thaçi tha se është sqaruar situata e krijuar pas këtyre zhvillimeve dhe është arritur mirëkuptim për hapat e mëtejshëm. Ai ka thënë se nuk mund të ketë kthim në gjendjen e para 25 korrikut në vendkalimet kufitare, një kërkesë kjo e cila është vënë si kusht për largimin e bllokadave të vendosura nga serbët në rrugët veriore.

Forcat e KFOR-it u vendosën në vendkalimet kufitare pas trazirave të javës së kaluar duke i shpallur ato zona të kufizuara ushtarake. Një batalion i këtyre trupave ka filluar vendosjen në Kosovë, që do t’u bashkohen forcave të KFOR-it në veri të vendit.

NATO-ja ka paralajmëruar se mund të shtojë sërish forcat e saj në Kosovë, për shkak të sic thuhet, tensioneve të vazhdueshme ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë.

Njësitë e posaçme të policisë së Kosovës, filluan më 25 korrik një operacion për vënien nën kontroll të dy vend kalimeve kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Operacioni nxiti reagime të ashpra të banorëve serb të cilët ngritën barrikada në rrugët kryesore. Një pjesëtar i policisë u vra gjatë një sulmi mbi policinë në afërsi të Zubin Potokut, një komunë me shumicë serbe në veri, ndërsa njëri nga vendkalimet u dogj nga protestues serbë.

Operacioni i policisë nuk u mbështet nga zyrtarët e Bashkimit Evropian të cilët thanë se ai u ndërmor pa këshillime paraprake me ta, ndërsa bënë thirrje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë, të cilat qenë shtyrë për në muajin shtator.

XS
SM
MD
LG