Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, publikoi rezultatet paraprake të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës së Kaçanikut, në Kosovën jugore.
Rreth 35 për qind e 30 mijë qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe sipas rezultateve të para, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Besim Ilazi, ka marrë rreth 53 për qind të votave.
Kryetarja Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se votimet janë zhvilluar pa probleme të mëdha, por, shqetësuese mbetet pjesëmarrja e vogël e qytetarëve në votime.
Organizatat që ishin angazhuar në vëzhgimin e votimeve, thanë se janë shënuar parregullsi të cilat megjithatë, nuk e kanë dëmtuar procesin.
Pesë kandidatë të partive më të mëdha politike në vend ishin vënë në konkurrencë për të marrë postin e kryetarit të kësaj komune, i cili mbeti bosh pas dorëheqjes së kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.
Zoti Zharku, i cili është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, u largua nga posti pas dënimit me tre vjet heqje lirie nën akuzat për veprën penale të detyrimit.
Kjo është hera e dytë gjatë kësaj pranvere që mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme lokale. Muajin e kaluar zgjedhje të tilla u mbajtën edhe në komunën e Ferizajt, pas dorëheqjes së ish kryetarit të saj, Bajrush Xhemajli, i cili u dënua me dy vjet e gjysme heqje lirie për përfshirje në një aksident trafiku.