Lidhje

Kuçi: Kosovës dhe Serbisë u duhet një traktat paqeje


Hajredin Kuçi
Hajredin Kuçi

Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi tha se Kosova dhe Serbia duhet të përfundojnë marrëdhëniet e konfliktit me një traktat të paqes.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot se Kosova dhe Serbia duhet të përmbyllin konfliktin e tyre me një traktat paqeje. Ai i bëri këto komente në kuadër të debateve që po zhvillohen në Kosovë dhe Serbi për mundësinë e vazhdimit të bisedimeve ndërmjet dy palëve por tash në nivelin politik.

Zyrtarë të Beogradit thanë se gjatë këtij muaji pritet të hartohet platforma e këtyre bisedimeve që do të mund të mbaheshin në vjeshtën e këtij viti dhe atë ndërmjet udhëheqësve më të lartë të të dyja vendeve.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Prishtina nuk është duke ngarendur për takime të tilla, por është e gatshme për çdo veprim që do të normalizonte marrëdhëniet me Serbinë.



Ne nuk ngarendim që të kemi takime të tilla, por ajo që mund të them është se kudo që përfaqësohet Kosova si shtet, ne nuk kemi turp të kemi takime me askënd. Të tjerët duhet të ndihen keq në raport me ne”.

Zoti Kuçi tha sot se një traktat paqeje duhet të përmbyllë marrëdhëniet e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ky traktat nënkupton që të definohen raportet ndërshtetërore, të përfshihen reparacionet e luftës, nënkupton ndërtimin e marrëdhënieve për të ardhmen. Traktatet janë marrëdhënie mes dy sovraniteteve, pra shtetet bëjnë traktate dhe jo të tjerët”, deklaroi Kuçi.

Zoti Kuçi, tha se përbërja e pushtetit aktual në Serbi nuk ndryshon qasjen e Kosovës kundrejt proceseve politike, sikundër as deklaratat politike në Beograd kundër pavarësisë së Kosovës.

Diplomatët euro perëndimorë janë vënë në përpjekje për të siguruar vazhdimin e bisedimeve ndërmjet dy vendeve, meqë siç thuhet, marrëdhëniet ndërmjet tyre po e kushtëzojnë edhe rrugëtimin e gjithë rajonit të Ballkanit drejt integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG