Lidhje

Sulmohet bashkëshortja e zyrtarit të PDK-së


Persona të panjohur sulmuan fizikisht duke i shkaktuar lëndime, bashkëshorten e zëdhënësit të Partisë Demokratike, Blerand Stavileci, njëherësh ministër në detyrë në qeverinë e Kosovës.

Policia konfirmoi sulmin pas të cilit zonja Stavileci është dërguar për trajtim në spitalet e Prishtinës, por nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të tij.

Partia Demokratike e Kosovës, akuzoi të hënën pjesëtarët e lëvizjes Vetëvendosje për këtë sulm, ndërsa i bëri thirrje policisë për ndriçim sa më të shpejtë të këtij sulmi.

Në një konferencë më gazetarë në orët e vona të pasdites, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, tha se "sot në mesditë kriminelët e Vetëvendosjes kanë sulmuar dhe rrahur brutalisht bashkëshorten e Ministrit Bleranad Stavileci, zonja Vitore para se të jetë bashkëshorte e një politikani është nënë".

Ai tha se Blerand Stavileci ka qenë një nga zërat më të shquar "për mospunën dhe keqpërdorimet e shumta në komunën e Prishtinës, nga zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje. Pas sulmit fizik, Vitores i është thënë që t’i përcjell porosi të qarta Blerandit duke i thënë që të mos flasë shumë dhe se të shohim a do të flasë pas këtij veprim”, tha Ismaili.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje hodhën poshtë pohimet e Partisë Demokratike dhe e dënuan sulmin ndaj zonjës Stavileci.

Dardan Sejdiu deputet i kësaj lëvizjeje shkroi në rrjetet sociale se "janë për keqardhje deklaratat e zyrtarëve të lartë të PDK-së që pa asnjë fakt akuzojnë Vetëvendosjen në lidhje me këtë rast, duke ndërhyrë në punën e organeve kompetente, që do të duhej sa më parë ta zbardhnin këtë akt kriminal. Ngutja e PDK-së për të akuzuar aktivistët e VV-së nuk përbën vetëm papjekuri të skajshme politike, por edhe lë hapësirë për dyshime rreth inskenimeve të mundshme qëllimkëqija, çka me siguri se nuk do të përbënte risi", shkruan ai.

Sulmi u dënua edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaci dhe kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, por edhe partitë politike që kërkuan ndriçimin sa më të shpejtë të këtij incidenti,

Sulmi i sotëm ndodhë në një periudhë të ashpërsimit të gjuhës politike para zgjedhjeve për pushtetin komunal që do të mbahen më 22 tetor dhe të debateve të rrepta rreth zvarritjes së ngritjes së institucioneve të Kosovës në bazë të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG