Lidhje

Jep dorëheqje kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri


Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, tha të martën se jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në këtë parti politike.

Në një konferencë me media në të cilën nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve ai tha përmendi përçarjet e vitit të fundit në këtë lëvizje dhe "pamundësinë për të ndikuar në ndaljen e tyre".

“Kohëve të fundit kam parë një intensitet të shtuar të shpërfilljes së plotë të pozitës sime si kryetar dhe të organeve drejtuese të Lëvizjes sa herë që këto kanë marrë vendime që nuk kanë qenë në përputhje me vullnetin e një pjese të aktivistëve. Në këto rrethana është e pamundshme të drejtosh... ", tha mes tjerash zoti Ymeri.

Muajin e kaluar lëvizja Vetëvendosje shpalli zgjedhjet e brendshme për kryetar të ardhshëm të kësaj lëvizjeje, pas përplasjeve që shpërthyen brenda kësaj lëvizjeje e cila po përballet me krizën më të rëndë që nga formimi i saj. Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin. Kjo lëvizje tashmë ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj dhe sipas vëzhguesve një ndarje brenda saj do të zbehte edhe forcën e saj në të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG