Lidhje

Kryeministri Edi Rama në Kosovë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama bëri thirrje sot për bashkërendim të punës ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për siç tha fshirjen e listave të urdhër arresteve, si ai i lëshuar nga autoritetet serbe në bazë të të cilit, Ramush Haradinaj u ndalua në Francë. Ai bëri këto komente gjatë një vizitë në Kosovë, ku po takohet me udhëheqës të institucioneve dhe partive politike. Kryeministri Rama vizitën e filloi në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ku shprehu besimin për lirimin e shpejtë të Ramush Haradinaj.

“Unë me gjithë zemër uroj dhe besoj do të jetë përfundimi që duam gjithë. Nuk është fundi por është fillimi i një pune të përbashkët të qeverisë sonë dhe qeverisë së Kosovës për të fshirë përfundimisht këto lista njerëzish me urdhër arreste të një kohe që i përket të shkuarës dhe që na shfaqet hera herës në këto forma”, tha kryeministri Rama.

Të mërkurën në një gjykatë në qytetin Colmar të Francës lindore, është paraqitur dosja e autoriteteve serbe kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte. Shqyrtimi i dosjes së dorëzuar të mërkurën dhe kërkesës serbe për ekstradim të zotit Haradinaj në Serbi, do të bëhet të enjten e ardhshme më 9 shkurt.

Zoti Haradinaj u ndalua më 4 janar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti serb të lëshuar 13 vjet më parë. Më 12 janar Gjykata e Apelit në Colmar e liroi me kusht zotin Haradinaj, në pritje të shqyrtimit të kërkesës serbe për ekstradimin e tij në Serbi.

Beogradi pretendon se ka ofruar prova të reja që siç thuhet nuk janë paraqitur gjatë gjykimit të tij në Hagë, ku zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm.

Ndalimi i zotit Haradinaj nxiti reagime ne shkallë të gjerë në Kosovë, ku u mbajtën edhe protesta me kërkesën për lirimin e tij.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës, por mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga një numër shtetesh që janë edhe pjesë e Interpolit e vështirëson shumë edhe bashkëpunimin e saj me këtë organizatë.

XS
SM
MD
LG