Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se sot janë arrestuar tre persona, në mesin e të cilëve një zyrtar i lartë i komunës së Prishtinës.
Të tre janë arrestuar nën dyshimet për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin.
Gjatë këtij operacioni, policia e EULEX-it i ka bastisur disa shtëpi, mjedise afariste dhe zyra të komunës.
Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përbashkët i prokurorëve vendas e ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it.
Misioni nuk ka dhënë më shumë hollësi, ndërsa burimet brenda komunës së Prishtinës thanë se në mesin e të arrestuarve është Sami Hamiti, aktualisht kryesues i Kuvendit të Komunës së Prishtinës.
Dy të arrestuarit e tjerë janë afarist, që kishin bashkëpunuar me zyrtarët e komunës së Prishtinës.
Nuk ka pasur komente nga përfaqësuesit e komunës së Prishtinës që drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.