Lidhje

Kosovë: Shkarkohet kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkarkoi të hënën kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

Shkarkimi i saj pasoi pakënaqësitë e shfaqura nga lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit ishte edhe një nismë politike e presidentes Osmani, ndaj punës së zonjës Daka.


Në vendimin e presidentes Osmani thuhet mes tjerash se “Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit te zgjedhjeve te parakohshme te 14 shkurtit 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-se, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancin e nevojshëm ne këtë organ. Ne fakt, ne disa raste. sjelljet e Kryesueses janë të njëjtë me ato te disa përfaqësuesve të partive politike në KQZ. Rrjedhimisht, Kryesuesja qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuuar ne përshkallëzim te situatës përgjatë mbledhjeve te këtij organi”.

Presidentja Osmani, tha në një njoftim se “ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi si kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Emërimi i gjyqtarit Radoniqi, thuhet në njoftim “do të siguroj që integritet i KQZ-së nuk dëmtohet më tutje si dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve lokale të bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës”.

Zonja Daka drejtonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga viti 2010.

Shkarkimi i saj u kundërshtua nga një grup organizatash joqeveritare të cilat thanë se vendimi është i motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit.

“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga Presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse. Mes tjerash, kryetares së KQZ-së i atribuohen ekskluzivisht të gjitha përgjegjësitë dhe dështimet e supozuara të KQZ-së, përkundër faktit që Kryetarja e KQZ-së është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Madje, rikujtojmë që puna e KQZ-së është vlerësuar pozitivisht nga raportet vendore dhe ato ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve”, thuhet në reagim, në të cilin theksohet se një vendim i tillë në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale paraqet “ndikim të drejtpërdrejtë në pavarësinë, integritetin dhe mbarëvajtjen e punës së KQZ-së në organizimin dhe administrimin e atyre zgjedhjeve”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG