Lidhje

Kosova ka 1 milion e 700 mijë banorë


Rezultatet e regjistrimit te popullsisë flasin se Kosova ka 1 milion e 739 mijë e 825 banorë, pa përfshirë ata të veriut të Kosovës.

Enti i Statistikave të Kosovës, publikoi rezultatet e regjistrimit të parë të popullsisë në këto 30 vitet e fundit. Të dhënat e para të këtij procesi i cili përfundoi në prill të vitit 2011 por pa veriun me shumicë serbe, flasin për një numër më të vogël të popullsisë nga ç’ishte vlerësuar deri tash.

Autoritetet thanë se regjistrimi përfshinë banorët e përhershëm të 34 komunave të Kosovës dhe sipas rezultateve përfundimtare, 1 milion e 739 mijë e 825 është numri i banorëve që jetojnë në territorin e Kosovës, duke përjashtuar komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe pjesën veriore të Mitrovicës.

Autoritetet e vlerësuan regjistrimin si një prej hapave të rëndësishëm edhe për synimet evropiane të Kosovës, me gjithë faktin se një pjesë e territorit të saj ka mbetur jashtë këtij procesi. Serbët në veriun e Kosovës kanë refuzuar të marrin pjesë në regjistrim. Zyrtarë evropian thanë se mospërfshirja e veriut të Kosovës nuk do të ndikojë në vlefshmërinë e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i fundit në Kosovë, në të cilin ishin përfshirë të gjithë banorët e saj kishte ndodhur në vitin 1981. Atëbotë sipas Entit të Statistikave të Kosovës, Kosova kishte një popullsi prej 1 milion e 584 mijë 440 banorë.

Në vitin 1991 shqiptarët bojkotuan procesin e regjistrimit, ndërsa sipas vlerësimeve atëbotë Kosova kishte 1 milion e 956 mijë e 196 banorë.

Në regjistrimin e vitit që lamë pas, rezultatet e të cilit u publikuan sot, nuk janë përfshirë banorët e Kosovës që jetojnë në diasporë.
XS
SM
MD
LG