Lidhje

Zgjidhet guvernatori i BQK-së – opozita kundërshton


Ish ministri i Financave, Bedri Hamza u zgjodh në postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës – opozita e quan politizim të institucionit

Parlamenti i Kosovës zgjodhi sot Bedri Hamzën, në postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. Zoti Hamza i cili deri në janar të këtij vitit ishte ministër i financave ne qeverinë e Kosovës, mori votat e 58 deputetëve nga 67 sa ishin të pranishëm në seancën e sotme.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes “ Vetëvendosje”, bojkotuan procesin e përzgjedhjes së guvernatorit të ri, meqë sipas tyre me këtë po politizohet Banka Qendrore e Kosovës.

Madje ata thanë se me këtë emërim, Banka qendrore e Kosovës mund të quhet Banka e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kundër këtij emërimi është shprehur edhe Instituti Demokratik i Kosovës, i cili nëpërmjet një deklarate thekson se “zgjedhja e sotme është në kundërshtim të plotë me nenin 140 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili shprehimisht thotë se: “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, është institucion i pavarur i cili i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës”.

Në deklaratë thuhet se “duke ditur që zoti Hamza për një kohë të gjatë është anëtar dhe faktor i rëndësishëm i Partisë Demokratike të Kosovës, zgjedhja e tij për Guvernator të Bankës Qendrore cenon kushtetutshmërinë dhe konceptin themelor të institucioneve të pavarura. Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ngjashëm vepruan edhe para disa javëve, kur zgjodhën anëtarin e Këshillit të përgjithshëm të Partisë Demokratike, Blerim Rexha, për Kryesues të Bordit të Agjencisë së Privatizimit”.

Partia Demokratike në pushtete, vlerëson se zgjedhja e zotit Hamza në postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore është zgjidhja më e mirë për shkak të profesionalizimit të dëshmuar të tij.

Zoti Hamza trashëgon në këtë post guvernatorin e deritashëm Gani Gërguri
XS
SM
MD
LG