Lidhje

Kosovë: Thirrje për respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese


Institucionet vendase e ndërkombëtare bënë thirrje të enjten për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me marrëveshjen për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Opozita ndërkaq kërkon përgjegjësi nga qeveria.

Kosovë: Reagime pas vendimit të Kushtetueses
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:35 0:00

Gjykata Kushtetuese tha të mërkurën se pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Ajo

konstaton se asociacioni do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga parlamenti i Kosovës, përkatësisht sipas marrëveshjes së prillit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve te tyre. Gjykata konstaton se që akti juridik i Qeverise së Kosovës dhe statuti qe zbaton parimet, të jenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet te plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet te jene ne pajtueshmëri me kapitujt e saj.

Ambasada amerikane nëpërmjet një njoftimi tha se “gjykata në mënyrë të qartë thotë se asociacioni do të themelohet sipas marrëveshjes së Brukselit dhe jep udhëzime për tu siguruar që themelimi i saj bëhet sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”.

Ndërsa zyra e Bashkimit Evropian vëren se Gjykata Kushtetuese është shprehur se Asociacioni do të krijohet siç parashihet me marrëveshjen e parë, në përputhje me Kushtetutën. Presim që të gjitha palët ta respektojnë këtë vendim ashtu që akti ligjor i qeverisë së Kosovës për zbatim të kësaj Marrëveshjeje dhe Statuti pasues të përgatiten sa më shpejtë që është e mundur”, thuhet në njoftim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga për interpretimin e përputhshmërinë së parimeve të asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës. Ajo pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht.

Presidentja Jahjaga, u bëri thirrje të gjitha institucioneve dhe spektrit politik në Kosovë që të respektojnë vendimin dhe të shfrytëzojnë këtë moment për të rinisur dialogun politik në Kosovë dhe për të rikthyer normalitetin në vend.

Qeveria e Kosovës e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa zotohet se do ta zbatojë me përpikëri atë në fazat që ndërlidhen me hartimin e Statutit dhe të Dekretit të Asociacionit.

“Ne tani do të vazhdojmë, ashtu siç ka udhëzuar Gjykata Kushtetuese, me dekretin e Qeverisë i cili do t’i shkon Gjykatës Kushtetuese, me statutin në të cilin ne kemi interes që të kemi përfaqësues ndërkombëtarë, ekspertë ndërkombëtarë, ekspertë të brendshëm, kemi edhe ekspertë nga opozita, sepse kjo është një çështje që nuk i takon vetëm një spektri politik, u takon të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

“Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese ka qartësuar shumë mirë se ky asociacion nuk ka karakter në asnjë rrethanë as ekzekutiv, as legjislativ, apo të një pushteti të nivelit të tretë. Kështu që, ajo që është me rëndësi është se ne i marrim obligimet tona, e kemi mirëpritur këtë vendim, dhe sot mesazhi i gjithë neve është që i gjithë spektri politik ta lexojë drejtë, ta kuptoj drejtë, ta interpretojë drejtë, dhe të punojmë bashkërisht për konsolidimin e shtetit dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”, tha zëvendëskryeministri Hashim Thaçi.

Partitë opozitare lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, thanë se qeveria duhet të mbahet përgjegjëse për shkelje të Kushtetutës.

“Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi si bartës të institucioneve të Kosovës, njëri si kryeministër e tjetri si zëvendëskryeministër, të dy këta të përfshirë në dialogun në Bruksel por edhe në marrëveshjen për demarkacionin kanë bërë shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës. Andaj ne si opozitë e bashkuar kërkojmë urgjentisht largimin e tyre nga pozitat ose dorëheqje ose largim të tyre nga pozitat ku ata janë”, tha Visar Ymeri, kryetar I lëvizjes Vetëvendosje.

Analisti Finsik Korenica nga Grupi për studime politike e juridike tha se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese marrëveshja e 25 gushtit për asociacionin mund edhe të mos zbatohet.

“Për aq kohë sa gjykata vendos që parimet fundamentale të marrëveshjes janë kundër kushtetuese, pavarësisht që nuk e anulon marrëveshjen në kuptimin formal, një marrëveshje e tillë më nuk mund të jetë një detyrim të cilën duhet ta zbatojë Kosova në rendin e brendshëm juridik, për aq kohë që detyrimi I tillë është në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës” tha ai.

Zoti Korenica thotë se vendimi do të sjellë edhe më tej paqartësi në skenën politike të vendit.

“Por besoj që guximi minimal i gjykatës duhet çmuar, por duhet argumentuar që kjo nuk është e tëra që ka mund të bëjë gjykata sepse fatkeqësisht duke mos e çuar deri në fund vendim marrjen e aj sa I përket marrëveshjes këtu mund të prodhohet një situatë e re që politikisht është e vështirë të qartësohet dhe në këtë situatë vendimi I gjykatës mund të interpretohet në forma tërësisht të kundërta, siç po ndodh aktualisht dhe kjo jo që e zgjidhë situatën politike, jo nuk e qartëson se çfarë duhet bëhet me asociacionin, por e komplikon edhe më shumë”, tha zoti Korenica.

Në Beograd, shefi i zyrës serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç, tha se Beogradi pret dhe kërkon zbatimin e plotë të Marrëveshjeve të Brukselit dhe se për të marrëveshja e vetme e vlefshme është ajo e 25 gushtit”.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat u hapën më 14 dhjetor, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

.

XS
SM
MD
LG