Lidhje

I dënuar në Serbi - i votuar për Gjykatën Kushtetuese në Kosovë

update

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të presë verifikimin nga ana e organeve të sigurisë të së kaluarës së përfaqësuesit të komunitetit serb që është votuar për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, para se të vendosë për dekretimin apo jo të tij. Ai ka një afat prej dy javësh për dekretimin e të emëruarve të rinj në këtë gjykatë.

Radomir Laban, javën e kaluar mori votat e 71 deputetëve të parlamentit të Kosovës për të shërbyer në Gjykatën Kushtetuese si përfaqësues i komunitetit serb.

Organizatat për të drejtat e njeriut dhe përfaqësues të opozitës reaguan ndaj vendimit të parlamentit të Kosovës për të emërimin e njeriut për të cilin autoritetet në Serbi pohojnë se ka ikur në Kosovë për të shmangur dënimin për korrupsion.

“Mund ta konfirmojmë se për shkak te dyshimeve te ngritura për të kaluarën e z. Laban, Presidenti i Republikës se Kosovës nuk do ta bëj dekretimin e tij, derisa organet kompetente te sigurisë dhe drejtësisë nuk e bëjnë verifikimin e plote” thuhet në një njoftim të zyrës së presidentit Thaçi.

Sipas autoriteteve në Serbi, Radomir Laban, ish zyrtar i doganave, ishte dënuar në vitin 2012 me gjashtë vjet heqje lirie, si pjesë e një grupi prej shtatë doganierësh dhe dhjetë afaristësh të akuzuar për kontrabandë milionëshe.

Të gjithë ata ishin arrestuar në vitin 2006. Pas shpalljes së dënimit, Radomir Laban, i ishte shmangur dërgimit në burg duke ikur në Kosovë.

Vitin e kaluar një gjykatë në Kralevë në Serbi, kishte lëshuar një urdhër arresti, por zbatimi i tij në Kosovë është pamundësuar për shkak të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka pohuar se ka marrë një kërkesë nga një gjykatë në Serbi, por e ka informuar atë se nuk mund të ekstradojë të kërkuarin nën mandatin e tij.

Radimir Laban, ishte propozuar për postin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese nga Lista Serbe, që është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës. Zyrtarët e kësaj liste nuk e kanë komentuar situatën e krijuar pas votimit, që nxori në shesh edhe të kaluarën e të propozuarit të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje i kërkoi presidentit të mos e bëj një gjë të tillë. Po ashtu edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut kërkoi që të mos dekretohet ky vendim dhe të vërtetohet e kaluara e të votuarit.

E kaluara e kandidatëve, kontrollohet nga agjencitë e sigurisë, por puna e tyre në raste të tilla është e vështirë për shkak të refuzimit të Serbisë që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe u është kundërvënë përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Policinë Ndërkombëtare (INTERPOL).

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se çështja e gjykatësit serb të zgjedhur për në Gjykatën Kushtetuese do të duhej të ishte verifikuar shumë më parë dhe se kjo “do të ishte një punë disasekondëshe meqë Agjencia e zbulimit dhe policia e Kosovës i kishin informatat, pasi që Radomir Laban kërkohej nga policia ndërkombëtare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG