Lidhje

Kushtetuesja nuk e interpreton kërkesën e Haradinajt për përgjegjësitë pas dorëheqjes


Gjykata Kushtetuese e Kosovës e cilësoi të papranueshme kërkesën e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj për interpretimin e “dorëheqjes së kryeministrit dhe qartësimin e kompetencave dhe funksionimit të qeverisë, pas dorëheqjes së kryeministrit”.

Kërkesa e tij, ishte shtruar në fund të muajit korrik pas reagimeve të partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile për përgjegjësitë e kryeministrit të dorëhequr, që ishte edhe rasti i parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese tha të mërkurën se “çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese” dhe vendosi ta “deklarojë kërkesën të papranueshme”.

Në kohën e kur e kishte parashtruar kërkesën për interpretim, zoti Haradinaj tha se “kushtetuta e Kosovës nuk e ka caktuar se çfarë ndodhë kur një kryeministër jep dorëheqje”.

Të mërkurën ndërkaq ai tha se “nuk kërkojmë kompetenca, as unë e as qeveria që ka dhënë dorëheqje. Ne kemi kërkuar zgjedhje dhe kemi kërkuar që mandati t’i kthehet sovranit, pra vendimi sovranit që për fat ka ndodhë. Por Kosova nuk guxon të mbes as një minutë në vakum qeverisës”.

Zoti Haradinaj tha se “janë disa detyra qeverisëse që kanë të bëjnë me kujdestari të jetës, pa ato detyra rrezikohet vendi. Unë nuk kam guxuar të dezertoj, pra kam dhënë dorëheqje në bazë të kushtetutës dhe ligjeve tona por jo dezertim, jo me lënë vendin pa përkujdesje për plotë tema që e mbajnë jetën. Bëj edhe vepër penale, pra nëse e la vendin në vakum qeverisës, bëj vepër penale sepse ndëshkohesh jo vetëm për veprën e gabuar po edhe mos veprim. Tani do ta analizojmë të gjeturat e vendimit dhe me siguri që do të deklarojmë një qëndrim për këtë”, tha zoti Haradinaj.

Ai paraqiti dorëheqjen e pathyeshme më 19 korrik pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Dorëheqja e tij çoi në zgjedhjet të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG