Lidhje

Kosovë: Thirrje për respektim të privatësisë dhe shmangie tensionesh gjatë raportimit për koronavirusin


Organizata vendase e ndërkombëtare po bëjnë thirrje për respektim të privatësisë gjatë raportimit rreth situatës së krijuar nga COVID-19.

Gjatë fundjavës misioni i Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, Avokati i Popullit dhe Federata e Gazetarëve Evropian bënë thirrje që mediet të respektojnë privatësinë e pacientëve dhe në asnjë mënyrë mos të shfaqin identitetin e të prekurve.

Reagimet pasuan publikimin e emrave, adresave dhe datave të lindjes së 210 qytetarëve, kryesisht pjesëtarë të komunitetit serb të cilët vënë në karantinë në Mitrovicën e Veriut dhe në qytete tjera nga një gazetë në internet. Pas reagimeve portali Sinjali hoqi shkrimin.

Misioni i OSBE-së theksoi se “situata me COVID-19 kërkon solidaritet dhe bashkëpunim të shoqërisë, gjithashtu edhe mes autoriteteve në rajon”, ndërsa bëri thirrje të respektohen udhëzimet e publikuara nga Këshilli i Medieve të Shkruara në Kosovë, i cili kërkon që privatësia e pacientëve të ruhet “dhe në asnjë rrethanë mos të zbulohet identiteti i të infektuarve”.

Një udhëzim të tillë e kishte bërë ditë më parë edhe Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, e ka cilësuar publikimin e identitetit të pacientëve veprime në kundërshtim me shumë norma juridike. Në një reagim ai citon edhe Kushtetutën e Kosovës, mbi të drejtën e privatësisë.

Federata Evropiane e Gazetarëve u bëri thirrje medieve në Kosovë po ashtu të përmbahen nga nxitja e tensioneve në kohë pandemie.

“Karantinimi i qytetit të Mitrovicës së Veriut është pasuar me me një mbulim mediatik të papërshtatshëm dhe jo etik”, thuhet në reagimin e kësaj federate.

Në fundjave komuna e Mitrovicës së Veriut dhe ajo e Zveçanit të banuara me shumicë serbe u vunë nën karantinë pas raportimeve për mbi 20 të prekur nga koronavirusi në këto dy qytete. Kufizimet në veri të Kosovës janë përshtatur me masat që ka ndërmarrë Serbia në qytetet e saj dhe kjo nxiti debate të shumta në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi, Lidhja Demokratike si dhe partitë opozitare kritikuan qeverinë në detyrë për situatën në veriun e Kosovës, duke theksuar se ajo po lejon kësisoj “ndërhyrjen e Serbisë”.

Por, qeveria në detyrë hodhi poshtë kritikat duke nënvizuar se në masat e marra ne dy komunat veriore janë ndërmarrë në bashkërendim me ministrinë e Shëndetësisë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një video mesazhi në Facebook, tha se ka politikanë në Beograd dhe në Prishtinë që duan konflikt në veri të Kosovës, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e tyre.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve Ricardo Gutierres tha se “duket qartë se disa politikanë, duke filluar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po përdorin krizën e koronavirusit për të provokuar tensione politike dhe shoqërore në interesin e tyre personal. Ne u bëjmë thirrje gjithë gazetarëve të mos luajnë lojën e tyre dhe të veprojnë në interes të publikut”, tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG