Lidhje

Kosovë: Rezultate të pakta në luftën kundër korrupsionit të lartë


Ekspertë të drejtësisë dhe përfaqësues institucionesh ndërkombëtare thanë se Kosova ka ngecje në luftën kundër korrupsionit, posaçërisht në rastet kur flitet për nivele të larta politike. Gjatë një debati mbi një raport të Institutit të Kosovës për Drejtësi, që u publikua të martën në Prishtinë, u tha se nga disa qindra raste të ndjekura nga afër nga ky institut, vetëm 21 janë të nivelit të lartë politik.

Drejtuesi i këtij instituti, Betim Musliu, tha se shqetësuese mbetet hedhja poshtë e kallëzimeve penale dhe pushimi i hetimeve në rastet e korrupsionit.

“Mbi 60 për qind e rasteve të korrupsionit të cilat denoncohen në prokurori vazhdojnë të hidhen dhe të pushohen. Kjo është një shqetësim jashtëzakonisht i madh sidomos kur kihet parasysh fakti se trajtimi i kallëzimit penal i cili përcaktohet në Kod se duhet të kalojë më së shumti 30 ditë, te ne ndodh që të zgjat me vite, madje kemi raste që edhe ka zgjat me dekada”, tha ai.

Shkeljet e afateve ligjore sipas tij, është dukuri shumë e shpeshtë dhe madje është shënuar në rast kur koha nga ngritja e kallëzimit penal e deri te shpallja e aktgjykimit, kanë kaluar 13 vjet.

“Gjetjet tona tregojnë se në 383 raste që i kemi monitoruara gjatë vitit 2016, vetëm në tri raste janë respektuar afatet ligjore nga gjykatat, dhe këto tri raste kemi të bëjmë me pranim të fajësisë qysh në seancën e parë, ndërsa në të gjitha rastet tjera që janë 380 raste kemi shkelje të afateve ligjore”, tha ai.

Por, kryetari i Këshillit prokurorial të Kosovës, Berim Isufaj, nuk pajtohet me vlerësimet e këtij raporti. Ai thotë se raporti përcillet me frymë negative ndaj sistemit prokurorial dhe nuk vë në pah përparimin që është shënuar në këtë drejtim.

“Problemet e vogla që mund të paraqiten si rezultat i një sistemi të trashëguar që nga paslufta janë duke u evituar në vazhdimësi, që e cila vërehet edhe në raportin e fundit tremujor të mekanizmit përcjellës. Vlerësoj se këto të meta të vogla teknike të cilat janë bërë në vazhdimësi transparente në asnjë mënyrë nuk e rrezikojnë planin strategjik për luftimin e korrupsionit”, tha zoti Isufaj.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruairi O’Conoll, tha se ngritja e aktakuzave dhe hartimi i politikave për luftimin e korrupsionit janë hapa pozitiv, por, sipas tij, mungojnë rezultatet përfundimtare.

“Në njërën anë ka mungesë të rezultateve të prekshme të luftimit të korrupsionit në nivelin e lartë, në anën tjetër proceset e brendshme të zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha niveleve janë të paqarta dhe të kontestueshme. Këto zhvillime e kanë bërë gjyqësorin të brishtë dhe lehtësisht të kritikueshëm”, tha ambasadori britanik.

Mbikëqyrës të sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se ky sektor vazhdon të përballet me sfida të shumta, që nga ndikimi politik e deri mos llogaridhënia. Anketa të ndryshme me opinionin publik vazhdojnë ta nxjerrin sistemin e drejtësisë si një nga fushat më të goditura nga korrupsioni.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG