Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha të enjten se çështja e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është mashtrimi më i madh në vend, që po i kushton shtrenjtë buxhetit të shtetit.
Ai i bëri këto komente në hapje të konferencës rajonale kundër korrupsionit e organizuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovë, me ç'rast u bëri thirrje politikanëve që të mos ushtrojnë trysni dhe ndikim ndaj sistemit të drejtësisë për çështjen e listave të veteranëve të UÇK-së.
Çështja e pensioneve të veteranëve të luftës ka ngjallur shumë reagime ndërsa prokuroria ka ngritur aktakuzë për keqpërdorime prej 68 milionë eurosh në dëm të buxhetit të Kosovës. Hetimi ndaj këtyre keqpërdorimeve paraqet hetimet më të mëdha që nga përfundimi i luftës.
“Shembull eklatant është çështja e veteranëve të UÇK-së. Ne të gjithë duhet ta inkurajojmë sistemin e drejtësisë që kësaj çështje t’i shkoj deri në fund me një transparencë dhe përgjegjësi të plotë. E vërteta është mese e qartë; nuk ka pasur më shumë se 12 mijë apo 15 mijë luftëtarë me armë dhe uniformë, ndërsa të tjerët janë vetëm mashtrime. Për këtë arsye, këtij mashtrimi të madh me humbje të madhe të buxhetit të Kosovës, duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë dhe jo kërcënimeve apo trysnisë politike të kujtdo që vijnë”,tha ai.
Prokuroria e Posaçme të Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas prokurorisë, me mashtrimet me listën e veteranëve, buxheti i shtetit është dëmtuar me më shumë se 68 milionë euro për një vit e gjysmë prej që ka filluar ndarja e pensioneve, ndërsa ka kërkuar nga gjykata që t’u ndalohen pagesat veteranëve të "rremë".
Prokuroria ka dërguar në gjykatë emrat e mbi 20 mijë personave që llogariten si të tillë dhe publikimi i listës në mediet lokale nxiti shumë debate në Kosovë, ku edhe ashtu që nga muaji gusht është diskutuar shumë për listat e veteranëve, pasi që ish prokurori Elez Blakaj, dha dorëheqje për shkak të siç kishte thënë kërcënimeve gjatë kohës sa po hetonte çështjen e pensioneve të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Javën e kaluar deputeti i parlamentit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, u dërgua në paraburgim nën dyshimet për kërcënimin e ish prokurorit Elez Blakaj, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Zoti Blakaj është kritikuar edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ndryshe nga presidenti Thaçi, pohon se numri i pjesëmarrësve në luftën e Ushtrisë Çlirimtare është shumëfish më i lartë.
Deklarimet e tilla të kundërta rreth listave të luftëtarëve janë pjesë e përplasjeve në distancë ndërmjet dy udhëheqësve të institucioneve, dallime që janë shfaqur posaçërisht rreth idesë së presidentit Thaçi për "korrigjimin e kufirit" me Serbinë si rrugë e normalizimit të marrëdhënieve. Kryeministri Haradinaj, ngulë këmbë që prekja e kufijve do të thotë kthim në tragjeditë e së kaluarës.
Facebook Forum