Lidhje

Kosovë: Lirohen të dënuarit për sulm ndaj policisë serbe


Një gjykatë në komunën e Gjilanit në Kosovën lindore, liroi grupin e personave që ishin dënuar më rreth 60 vjet heqje lirie nën akuzën për vepra penale të terrorizmit.

Lirimi i tyre pasoi rigjykimin e urdhëruar nga Gjykata e Lartë vitin e kaluar dhe të mërkurën gjykata themelore hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj tyre.

Në tetor të vitit 2013 një gjykatë e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në komunën e Gjilanit, shpalli fajtorë dhe dënoi me afro 60 vjet heqje lirie dhjetë persona nën akuzën për vepra penale të terrorizmit.

Valon Jashari, Skender Jashari,Gazmend Lakna, Gazmend Xhemshiri, Qendrim Rexhaj, Muhamed Aliu, Skender Selmani, Enver Musolli, Abdullah Zogaj dhe Jeton Shabani, ishin akuzuar për veprat penale të terrorizmit, organizimit të grupeve terroriste, pjesëmarrje në grupe terroriste dhe mbajtje të paautorizuar të armëve, në lidhje me disa sulme ndaj postblloqeve të policisë serbe në kufirin me Kosovën.

Sipas akuzës ata besohej se kanë marrë pjesë në sulmet në postbllokun e policisë serbe në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit në luginën e Preshevës më 17 maj, 28 qershor dhe 7 tetor të vitit 2012.

Një grup që veten e quan “Lëvizja e lirisë” mori përsipër përgjegjësinë për këto sulme nëpërmjet komunikatave të publikuara në internet.

Fshati Dobrosin që shtrihet në vijën kufitare ndërmjet dy vendeve, që bërë i njohur në vitin 2000 kur atje qe themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG