Lidhje

Kurti: Përparësi e qeverisë – lufta kundër COVID-19, jo çështjet e brendshme politike


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha të martën se qeveria e tij është e përqendruar në parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe jo në çështjet e brendshme politike.

Gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit, rreth 45 kilometra në lindje të Prishtinës, ai tha se nuk dëshiron të shpërqendrohet në tema tjera përveç atyre të shëndetit publik, duke mos dashur të komentojë kërkesën që i është bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për të dërguar emrin e mandatarit për qeverinë e re.

Më 25 mars qeveria e zotit Kurti u rrëzua me një mocion mosbesimi. Ai dhe lëvizja e tij kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë, ndërsa forcat tjera politike kërkojnë ngritjen e një qeverie të re dhe shmangien e zgjedhjeve.

“Takimi i sotëm dhe takimi tjetër që do të jetë në komunën e Dardanës me kryetarin atje do të jenë ekskluzivisht për çështjen e pandemisë përkatësisht parandalimin e përhapjes së saj prandaj nuk kemi kohë për të humbur me çështjet ping-pongut politik. Pra nuk mund të ketë temë tjetër kur nuk mund të ketë prioritet tjetër. Ne tash jemi të angazhuar maksimalisht në luftimin e pandemisë dhe nëse do të shpërqendroheshim në çështjet tjera do ta dobësonim vetën tonë në këtë front jetik për shëndetin e qytetarëve të Republikës”, tha zoti Kurti.

Që nga mesi i muajit mars, Kosova po përballet me virusin COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, tha se ka kryer afër dy mijë e 100 teste dhe deri tani 165 veta janë konfirmuar si të prekur nga koronavirusi, tre veta kanë humbur jetën, ndërsa 24 janë shëruar.

Vetëm gjatë ditës së djeshme janë shënuar 20 raste të reja, shumica prej të cilëve nga komuna e Malishevës që është më e goditura nga virusi në Kosovë.

Por, në të dhënat e Institutit Kombëtar nuk përfshihen edhe rastet e të infektuarve nga radhët e komunitetit serb. Sipas zyrtarëve lokal të komunave me shumicë serbe në ato mjedise janë konfirmuar 33 të prekur ndërsa një ka vdekur derisa po kurohej në një spital në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky muaj është vendimtar në parandalimin e përhapjes së madhe të virusit.

“Jemi të gatshëm, të interesuar, të vullnetshëm, të përkushtuar që këtë lakoren e shpërndarjes së COVID-19 ta shtyjmë sa më shumë në kohë dhe ngritjen e saj ta bëjmë sa më të pakët në mënyrë që të parandalojmë këtë pandemi e cila deri më tash i mori jetën tre qytetarëve të Republikës sonë. Organizimi ynë edhe qendror edhe lokal është shembullor dhe këtë po e thonë edhe të tjerët, duhet ta vazhdojmë sidomos në muajit prill sepse muaji prill është muaji vendimtar që nga kjo krizë shëndetësorë të dalim sa më shpejt dhe me sa më pak dëme”, tha ai.

Qeveria e Kosovës pritet të shqyrtojë ndërkaq masat e reja në luftën kundër pandemisë posaçërisht për lëvizjen e qytetarëve, pasi që javën e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që nga 13 prilli të shfuqizohen masat e qeverisë për kufizimin e lirisë së lëvizjes.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG