Lidhje

Kosovë: Reagime ndaj masave të qeverisë në kohë pandemie


Nga një mbledhjet e mëhershme e parlamentit të Kosovës
Nga një mbledhjet e mëhershme e parlamentit të Kosovës

Qeveria në detyrë e Kosovës shpalosi të hënën mbrëma masa të shtrënguara për pengimin e përhapjes së koronavirusit, duke nxitur shumë reagime të partive politike.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se masat e reja do të fillojnë të zbatohen nga e mërkura me 15 prill dhe do të jenë në fuqi deri më 4 maj.

Kosovë, nga 15 prilli kufizim i rreptë i lirisë së lëvizjes
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:39 0:00

“Për personat fizikë, për moshat mbi 16 vjeçare, lejohet qarkullimi për furnizim në mallra të domosdoshme si ushqim, barna për njerëz dhe kafshë apo edhe shpezë dhe produkte higjienike dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare si pagesat apo punët bankare, për vetëm një orë e gjysmë në ditë sipas orarit të përcaktuar ditorë në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal (në lejet e njoftimit”, tha zoti Vitia.

Masat e reja të qeverisë parashohin edhe ndalesa tjera, që nga kufizimi i daljes së personave mbi moshën 65 vjeçare, qytetarët do të kenë mundësi të dalin nga shtëpia vetëm një herë në ditë për një orë e gjysmë për të kryer furnizim me mallra të domosdoshme si dhe detyrat e nevojat financiare. Po ashtu gjatë kohës së lëvizjes së lejueshme, qytetarët janë të detyruar të bartin maska dhe të ruajnë distancën fizike prej 2 metrash.

Ndaj këtyre masave reaguan të martën kryetarët e komunave të Kosovës përmes asociacionit të tyre, të cilët thanë se qeveria nuk është këshilluar fare me komunat dhe se sipas tyre “këto masa kanë filluar menjëherë të shkaktojnë kaos dhe tollovi si në komuna ashtu edhe vende tjera publike dhe në një formë janë kundër efektive në betejën për parandalimin e përhapjes se pandemisë COVID-19”.

Partitë politike reaguan të martën në parlamentin e Kosovës duke i cilësuar masat e qeverisë si kundër kushtetuese.

Masat e reja të ministrisë së Shëndetësisë u shpalosën të hënën kur hyri në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të qeverisë së Kosovës të 23 marsit për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se qeveria me këto masa i mori autoritetin dhe përgjegjësitë e parlamentit.

“Ne kemi një problem që është problem politik, e kemi një qeveri në dorëheqje që ka për detyrë me i ushtru disa autorizime funksionale, ajo qeveri vazhdon me vetëdije me shkel kushtetutën, vazhdon me vetëdije me përmbysë sistemin juridik në këtë vend dhe ne nuk po merremi me këtë problem, ky është problem kryesorë, problem kryesorë që ka kjo shoqëri sot ka ndodhur një përmbysje e rendit juridik dhe kushtetues”, tha zoti Gashi.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se qeveria në ikje ka ndërhyrë vrazhdë në kompetencat e parlamentit dhe sipas tij në aspektin legal kjo është situatë e jashtëzakonshme.

“Unë jam i trishtuar me mos reagimin e shumë institucioneve që kanë për obligim dhe paguhen nga vendi për të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Kosovës. Ajo që ka ndodhur dje nuk është kufizim i lirive të qytetarëve të Kosovës, ajo që ka ndodhur dje është suspendim, është marrje, është grabitje e të drejtave të qytetarëve të republikës së Kosovës. Me një vendim administrativ arbitrar dhe me një vendim arbitrar ka suspenduar kompetencat e Kuvendit të Republikës të Kosovës, nga një institucion që nuk e ka më legjitimitetin e Kuvendit”, tha zoti Limaj.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar nga partitë politike që të hartohet një ligj për çështjen e kufizimit sipas aktgjykimit të gjykatës Kushtetuese, por sipas saj kjo nismë nuk është përkrahur nga partitë politike.

“Autorizimet e Kuvendit nuk mund t’i suprimoj askush, ato janë të përcaktuara me kushtetutë, ato mund të prekën vetëm kur të preket kushtetuta e Kosovës, për derisa ky Kuvend nuk është shpërndarë, rruga më e mirë është që ne brenda pak ditësh në përputhje të plotë me procedurat e parapara në rregullore ta kalojmë ligjin e veçantë ashtu siç e kam propozuar dhe e ka mbështetjen e aktgjykimit të gjykatës kushtetuese edhe ta gjejmë një tekst, duke marr për bazë diku në Evropë dhe ta kalojmë shpejt e shpejt, në mënyrë që të mos kemi më asnjë problem sepse ata që më shumti kanë probleme në terren janë organet e rendit”, tha zonja Osmani.

Por, bashkëpartiaku i asaj, deputeti i Lidhjes Demokratike, Driton Selmanaj i cili e akuzoi kryetaren e parlamentit se po përpiqet të legjitimojë shkeljet e qeverisë.

“Interpretimi jonë është se gjykata me aktgjykimin e saj i ka dhënë kohë qeverisë dhe Kuvendit që deri më datën 13 që eventualisht të ndërmerr masa nëse vlerëson që me ligj të kufizoj liritë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë dhe ka ardh në përfundim se sjellja e qeverisë ka shkelur kushtetutën. Përpjekja ose interpretimi që ju po e bëni është përpjekje për me legjitimu sjelljen e kësaj qeverie duke e lënë anash nenin 56 i cili…”.

Vjosa Osmani: Zotëri deputet jeni duke e keqpërdorur të drejtën tënde duke i dezinformuar gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ke asnjë të drejtë në radhë të parë fjalën ta dhash me fol për çështjen e mocionit, nëse dëshiron të flasësh për çështjen e mocionit fol qoftë fol për një temë tjetër regjia ja ndal menjëherë fjalën.

Driton Selmanaj: E para kjo qasja autoritare e juaj po më ngjan me dikë tjetër por jo me juve personalisht.

Vjosa Osmani: Regjia ndalja fjalën deputetit...

Përplasjet ishin pjesë e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar një pako emergjente financiare, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Por, seanca u mbyll ende pa filluar meqë deputetët nuk mbështetën kërkesën e Partisë Demokratike që të futën në rend ditë dy projektligje për masat e përkohshme, për ta lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike.

Pak para seancës kryeministri në detyrë Albin Kurti e cilësoi atë të panevojshme në këtë periudhë, duke shpjeguar një paketë emergjente fiskale e qeverisë së tij në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, e cila sic tha do të pasohet nga pakoja për rimëkëmbjen ekonomike.

Deri në mbrëmjen e së hënës numri i të prekurve me COVID-19 në Kosovë arriti në 377 persona, nga të cilët deri tani 8 veta kanë humbur jetën, ndërsa 63 janë shpallur të shëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG