Lidhje

Kosovë: Politika e ndarë edhe përballë COVID-19


Deri në mbrëmjen e së dielës, autoritetet në Kosovë konfirmuan se ka shkuar në 561 numri i të prekurve nga koronavirusi, ndërsa që nga rastet e para janë kryer mbi katër mijë teste. Qeveria në detyrë është kritikuar për numrin e vogël të testeve, për të cilat vendi varet nga prodhues të huaj.

Kosovë, 561 të prekur nga COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Javën që lamë pas Kosova pranoi mes tjerash një mijë teste nga Serbia gjë që nxiti shumë reagime në skenën edhe ashtu të ndarë politike në vend.

Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se Kosova është dorëzuar para Serbisë me pranimin e një mijë testeve.

“Ky kryeministër dhe kjo qeveri janë dorëzuar para Serbisë duke ia mundësuar menaxhimin efektiv të pandemisë në komunat e veriut të vendit por për fat të keq edhe në komunat me shumicë serbe. I kanë përligjur masat e jashtëzakonshme që i ka vendosur Serbia duke e dëmtuar rëndë sovranitetin e vendit tonë. I kanë pranuar në mënyrën më të gabuar të mundshme një mijë teste nga Aleksandër Vuçiçi duke ia mundësuar atij të tentojë të shpërlahet prej krimeve gjenocidale që ka bërë Serbia”, tha ai.

Zoti Krasniqi i bëri këto komente pas një takimi të thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, për të diskutuar mbi gjendjen e krijuar nga Covid-19, i cili u bojkotua nga një pjesë e partive politike.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha pas takimit se kur flitet për pandeminë duhet lënë anash dallimet politike duke nënvizuar se ndihma e Serbisë nuk e shlyen të kaluarën e saj kundruall Kosovës.

“Unë besoj se jo vetëm ne në Kosovë por e gjithë bota e ka të qartë se cilat janë krimet që i ka kryer Serbia në Kosovë, ato kanë ndodhur para syve të botës dhe janë dëshmuar në gjykata ndërkombëtare. Kështu që Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dhuruar ndihma por kjo assesi nuk e shlyen të kaluarën e afërt”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, duke komentuar takimin e sotëm tha para gazetarëve se mospajtimet e tij me disa parti politike janë shumë më të thella sesa mospjesëmarrja në një takim. Ai theksoi se në luftë kundër koronavirusit vendimet duhet të jenë të bazuara në rekomandime shkencore, duke lënë anash dallimet e mundshme.

“Një mijë testet e Serbisë janë një gjest i cili nuk do të duhej të politizohej. Unë nuk besoj e nuk mendoj që Serbia ka rregulluar imazhin e saj me këtë. Nëse ka rregulluar imazh këtë e ka bërë me ato marrëveshje për të cilat përfaqësuesit e Kosovës nënshtroheshin përgjatë gjithë këtyre viteve, sidomos pas shpalljes së pavarësisë. Ne kemi dëshmuar që nuk bëjmë dallime te qytetarët as sipas komunës, as partisë, moshës, gjinisë, fesë e as etnisë”, tha ai.

Kundër politizimit të kësaj cështjeje janë shprehur edhe diplomatët evropianë në Prishtinë të cilët thanë se “përballë kësaj pandemie globale, politika duhet të lihet mënjanë, dhe aktorët politikë duhet të punojnë së bashku për të siguruar që qytetarët, pa asnjë dallim, të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe mbështetjen ekonomike”.

Rastet e para të koronavirusit u konfirmuan në Kosovë në fillim të muajit mars. Deri tani 12 persona kanë humbur jetën, ndërsa 102 të tjerë janë shpallur të shëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG