Lidhje

Kosovë, shtyhen zgjedhjet në komunën e Podujevës për shkak të koronavirusit


Kosovo/coronavirus
Kosovo/coronavirus

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, vendosi të shtunën shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e komunës së Podujevës, për shkak të gjendjes epidemike në vend pas konfirmimit të rasteve të para të infektimit me koronavirus.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës që ishin paraparë të mbahen të dielën më 15 mars, pasuan dorëheqjen e Agim Veliut si kryetar i kësaj komune dhe emërimin e tij si ministër i Punëve të Brendshme, në qeverinë e Albin Kurtit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet një njoftimi tha se shtyrja e zgjedhjeve për kryetar të komunës në Podujevë, pasoi rekomandimin nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.

“Data e zgjedhjeve do të përcaktohet më vonë, pas vlerësimit të gjendjes epidemiologjike dhe pas pranimit të vlerësimit se do të jetë e sigurt që të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës”, thuhet në njoftimin e presidentit të Kosovës.

Autoritetet thonë se tre persona janë prekur me koronavirus.

Kosova ka mbyllur të gjithë kufijtë tokësor dhe linjat ajrore si dhe hyrje – daljet në komunat e Klinës dhe të Vitisë, dy qytete këto ku janë paraqitur rastet me koronavirus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG