Lidhje

Rritje shqetësuese e numrit të të prekurve nga koronavirusi


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se qeveria është duke shqyrtuar vendosjen e disa masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe se gjykuar nga shtimi i numrit të të prekurve, vendi është në rrezik nga vala e dytë e infektimeve.

Kosovë, rritje shqetësuese e numrit të rasteve me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:12 0:00

“Qysh në mbledhjen e ardhshme të qeverisë nëse ka nevojë për vendime ekzekutive, duke filluar nga reduktimi i punonjësve në institucioneve për të gjithë ata që kanë mundësi të punojnë nga shtëpia, do të mbyllen menjëherë të gjithë sektorët e departamentet e ndryshme në biznese a institucione ku ka të infektuar, duhet detyrimisht përmes organeve të rendit të kontrollohen personat e infektuar që të mbesin të izoluar, të aktivizohen menjëherë shtabet e komunave, inspektorati sanitar të marrë masat e nevojshme në përputhje me ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, inspektorët do të jenë 24 orë në rrugë”, tha kryeministri Hoti.

Qeveria shqyrtoi të hënën situatën e krijuar në vend gjatë ditëve të fundit kur është regjistruar një rritje shqetësuese e numrit të të prekurve.

Nga një qershori e deri të dielën mbrëma, në Kosovë janë konfirmuar 1 mijë 594 persona të prekur nga koronavirusi. Ndërsa gjatë tre muajve paraprak, mars, prill dhe maj, ishin gjithsej 1 mijë e 83 të prekur.

Vetëm gjatë javës që e lamë pas, u konfirmuan 508 persona të prekur me virusin Covid-19, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve që nga 13 marsi ka arritur në 2 mijë e 677.

Muaji qershor bashkë me lehtësimin e masave shënoi rritje shqetësuese të numrit të të prekurve.

Drejtori i Institutit të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, i tha Zërit të Amerikës se arsyet e rritjes së madh të numrit lidhen drejtpërdrejtë me moskujdesin e qytetarëve.

“Për neve paraqet brengë dhe shqetësim të jashtëzakonshëm për Institutin Kombëtar por edhe për institucionet tjera të Kosovës. Në këtë kontekst ne jemi duke hulumtuar shkaqet, të cilat janë të shumta por jo vetëm mjekësore. Tashmë aq më pak janë mjekësore, më shumë janë shkaqe psikologjike, sociologjike dhe antropologjike të cilat kanë bërë që kohëve të fundit njerëzit disi të mos besojnë se virusi është ekzistues”, tha ai.

Kryeministri Hoti tha se po shqyrtohen edhe mundësitë për karantinimin e disa zonave ku ka më shumë raste si dhe të ndalohet grumbullimi i më shumë se 100 personave. "Duhet të rregullojmë pak më mirë ceremonitë mortore”, tha ai.

97 veta janë duke u trajtuar aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, 45 prej të cilëve në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive. Ekspertë mjekësor tërheqin vërejtjen për rreziqet e rritjes së numrit të të prekurve, duke nënvizuar mundësitë e kufizuara të institucioneve shëndetësore.

“Në klinikën infektive limiti është 120 shtretër, por ka edhe reparte të tjera që mund të lirohen ose janë liruar. Por kjo nuk do të thotë se ka vend për komoditet dhe ne pasi që paska vend në spital mund të sillemi si të dojmë. Jo, qytetarë të nderuar vend nuk ka në spital. Duhet të ruhemi që të mos shkojmë në spital, duke bartur në mënyrë obligative maskat, duke ruajtur distancën dhe higjienën personale. Nuk është zgjidhje hospitalizimi”, tha zoti Ramadani.

Deri tash në Kosovë 49 veta kanë humbur jetën pas infektimit me koronavirus, derisa një mijë e 425 persona janë shpallur të shëruar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG