Lidhje

Qeveria e Kosovës me masa të reja për frenimin e pandemisë


Qeveria e Kosovës miratoi të martën mbrëma një sërë masash përmes të cilave synohet frenimi i përhapjes së COVID-19.

Me këtë vendim ndalohet çfarëdo lëvizjeje e personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Podujevë, Gjakovë, Ferizaj, Lipjan, Drenas, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë, nga ora 22:30 deri në orën 05:00.

Përjashtim bëjnë rastet urgjente shëndetësore, ata që kanë nevojë për t’u kujdesur për të sëmurë apo për persona me nevoja të veçanta, ata që kërkojnë ndihmë nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare, si dhe personat që kanë rast të vdekjes së anëtarit të familjes.

Me këtë vendim qeveria ka kufizuar edhe lëvizjen e qytetarëve të moshuar (mbi moshën 65 vjeç) dhe qytetarëve me sëmundje kronike, të cilët lejohen të lëvizin lirshëm vetëm prej orës 05:00-10:00 paradite si dhe në orët e mbrëmjes prej18:00-21:00.

Sipas vendimit të qeverisë duke filluar nga nesër të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët hyjnë në territorin e Kosovës detyrohen të dëshmojnë se nuk janë të prekur nga Covid 19 me test negativ.

Përjashtim në këtë vendim bëjnë ata që hyjnë nëpërmjet aeroportit “Adem Jashari” e që vetëm do të kalojnë nëpër territorin e Kosovës, me kusht që në hyrje do të nënshkruajnë një deklaratë që në afat prej 3 orësh do ta lëshojë territorin e Kosovës.

Kosovë, vështirësitë përballë COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Përjashtim bëjnë edhe transportuesit profesionistë, transporti i organizuar me autobus ose linjë të rregullt ndërkombëtare transite me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin brenda 5 orësh, pastaj diplomatët e huaj dhe familjarët e tyre,

Po ashtu është vendosur që vënia e maskës në fytyrë në të gjitha veprimtaritë jashtë shtëpive/banesave, mbajtja e distancës fizike prej 2 metrave në mjedise të përbashkëta, si dhe të ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personave, si dhe të gjitha tubimet publike, duke i përfshirë ahengjet familjare private.

Ka disa ditë që autoritetet në Kosovë kanë hartuar këtë listë masash pas rëndimit të situatës me Covid 19 në vend. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 239 persona të prekur me këtë virus, si dhe shtatë të vdekur nga pasojat e tij. Kjo e çoi numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 7 mijë e 652 dhe atë të të vdekurve në 192.

Në njoftimin e qeverisë së Kosovës thuhet se masat e reja do të rivlerësohen varësisht nga situata epidemiologjike në vend.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG