Lidhje

Kosovë, konfirmohen tri raste të variantit britanik të koronavirusit


Autoritetet shëndetësore në Kosovë thanë të premten se janë konfirmuar tri raste të të infektuarve me variantin e ri britanik të koronavirusit.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për gazetarë tha se rastet janë konfirmuar pasi që 30 mostra u dërguan këtë muaj për hulumtim në Gjermani.

“Rezultatet e këtyre analizave të kryera në Berlin kanë treguar se tri mostra kanë rezultuar pozitiv në testimin preliminar me Sars-Cov2 në variantin B117. Ky variant e dini është raportuar për herë të parë më 14 dhjetor 2020 në Mbretërinë e Bashkuar. Ne si Republikë e Kosovës menjëherë kemi marr masat duke pezulluar fluturimet ajrore me këtë shtet duke njoftuar edhe përmes ambasadës edhe shtetin mik, Anglinë pra dhe nga ajo ditë nuk ka pasur fare fluturime Prishtinë – Londër dhe anasjelltas”, tha zoti Zemaj.

Ndërsa, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani tha se personat e infektuar me variantin e ri tashmë janë shëruar dhe se ekipet e shëndetësisë janë duke gjurmuar kontaktet e tyre.

“Ne mund të themi se të gjitha rastet tashmë janë të shëruara dhe nuk kanë asnjë problem me shëndetin e tyre. Ekipet e Institutit Kombëtar kanë gjurmuar dhe po gjurmojnë pandërprerë këto raste dhe këto raste kanë qenë të identifikuara gjatë janarit dhe sot janë gjurmuar për së dyti”, tha ai duke nënvizuar se po shtohen kapacitetet e institutit për të testuar variantet e reja të virusit.

“Duke pasur parasysh se variantet e reja të virusit kërkojnë edhe aparatura të reja ne tashmë jemi kompletuar me aparatura të reja dhe praktikisht këto aparatura do të vihen në provat e para duke pasur parasysh se janë tejet të ndjeshme dhe ne jemi në bashkëpunim me institutin gjerman dhe bashkë me ta do të vëmë në praktikë edhe këto aparatura”, tha zoti Ramadani.

Autoritetet thanë se ditëve të fundit është shënuar rritje e numrit të të prekurve nga koronavirusi. Gjatë 24 orëve janë regjistruar pesë viktima si pasojë e infektimit ndërsa janë prekur 342 persona me Covid-19.

Autoritetet thanë se dy javët e fundit ka filluar të shihet edhe një shtim i numrit të personave që kërkojnë trajtim nëpër spitale të Kosovës. Sipas Qendrës Klinike të Kosovës, aktualisht nëpër spitalet e përgjithshme të vendit janë shtrirë 535 pacientë, ku 31 prej tyre janë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe 366 pacientë vazhdojnë të jenë me oksigjeno-terapi të vazhdueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG