Lidhje

Kosovë: Një i vdekur e 888 raste të reja të të prekurve nga COVID-19


Autoritetet në Kosovë konfirmuan të mërkurën se një person ka humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 888 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, në 24 orët e fundit.

Që nga dje janë kryer 6 mijë e 86 teste. Infektimet jane shtrirë gjithandej Kosovës ndërsa prinë Prishtina me 182 raste të reja në 24 orët e fundit,

Ajo qe bie në sy është se gati një e katërta e të prekurve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç.

Në 11 ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 3 mijë e 279 raste të reja të të prekurve nga COVID-19 dhe 8 të vdekur nga pasojat e tij. Ditët e para të këtij muaji shënojnë një përkeqësim të rëndë të situatës me 298 raste te reja në ditë mesatarisht.

Në muajin mars të këtij viti, që ishte ndër periudhat më të rënda, Kosova konfirmoi 21 mijë e 200 raste që i binte 683 raste ne ditë mesatarisht.

Muaji maj shënoi fillimin e një periudhe përmirësimi kur ishin regjistruar mesatarisht 71 të prekur në ditë dhe që atëherë vendi filloi të lehtësonte masat kufizuese.

Sipas autoriteteve shëndetësore, 136 pacientë po trajtohen në spitale. Dy prej tyre thuhet se janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërkaq 117 të tjerë po trajtohen me oksigjenoterapi.

Nga marsi i vitit 2020 në Kosovë janë konfirmuar 111 mijë e 644 të prekur nga koronavirusi dhe 2 mijë e 274 kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

Autoritetet po bëjnë thirrje për vaksinim në masë të qytetarëve për t’u përballur me COVID-19 pasi që sipas tyre studimet në vendet tjera kanë dëshmuar se personat me dy doza të vaksinës kanë qenë më të imunizuar përballë variantit Delta më të cilin besohet se janë të prekur rreth 90 për qind e rasteve të konfirmuara së fundmi.

Aktualisht numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave ka arritur në 174 mijë e 991, ndërsa shifra e përgjithshme e vaksinave të dhëna është 521 mijë e 737.

XS
SM
MD
LG