Lidhje

Ndërron jetë veprimtari i shquar Adem Demaçi


Veprimtari i shquar shqiptar, Adem Demaçi, ndërroi jetë sot në moshën 82 vjeçare.

I lindur ne vitin 1936 në Prishtinë, Adem Demaçi u bë i njohur si veprimtar për çlirimin e Kosovës dhe i kaloi 28 vjet në burgjet e ish Jugosllavisë.

Adem Demaçi u burgos herën e parë në vitin 1958, duke mbajtur tre vjet burg. Ai u burgos përsëri për dhjetë vjet nga viti 1964 deri më 974 dhe më pas qëndroi në burg për 15 vjet të tjera nga vitit 1975 deri më 1990.

Pas lirimit nga burgu në vitin 1990, ai drejtoi për një kohë Këshillin për të Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Nga vitit 1991 deri në vitin 1993 ishte kryeredaktor i revistës Zëri në Prishtinë.

Më pas për një periudhë drejtoi Partinë Parlamentare të Kosovës.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin "Saharov". Gjatë periudhës 1998/1999, ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas luftës u angazhua për respektimin e të drejtave të pakicave jo-shqiptare në Kosovë dhe për përmirësimin e gjendjes së tyre.

Zoti Demaçi drejtoi për një periudhe edhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Autor i disa librave, njëra prej të cilave “Gjarpijt e Gjakut” ishte i ndaluar nga regjimi jugosllav.

Zoti Demaçi nga shqiptarët vlerësohej si simbol i rezistencës kombëtare. Në vitin 2010, ai u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”.

Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë e vlerësuan lart personalitetin dhe veprën e Adem Demaçit.

“Është shumë e vështirë ta pranojmë që simboli ynë i rezistencës, baca Adem, ka ndërruar jetë. Ishte gjithmonë i pathyeshëm dhe i papërkulur përballë çdo sfide. Baca Adem tërë jetën ia kushtoi Kosovës dhe ne gjithmonë do ta kujtojnë si udhërrëfyes dhe do ta kemi si zë ndërgjegjeje popullore”, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili shpalli tre ditë zie në nderim të zotit Demaçi

“Prehu në paqe Baca Adem! Gjithë jetën i shërbeve dhe gjithë jetën e nderove atdheun. Përjetësisht atdheu do ta nderojë e kujtojë veprën dhe emrin tënd”, shkroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se “vepra e tij shërbeu si burim frymëzimi jo vetëm për luftën tonë të armatosur, por edhe për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës, në bazë të themeleve të shëndosha, të vlerave të lirisë e demokracisë”.

Në një telegram ngushëllimi të Lidhja Demokratike e Kosovës, thuhet se qytetarët dhe populli i Kosovës, “do ta përkujtojnë përherë veprën kombëtare të Adem Demaçit dhe veprimtarinë e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje, tha se “vdekja e Adem Demaçit i pikëllon rëndë gjithë shqiptarët, e në fakt gjithë liridashësit”.

“Në këto momente dëshirojmë t’i gjendemi pranë sidomos familjarëve e të afërmve të familjes Demaçi. Veprimtari, i cili kurrë nuk u dorëzua e nuk u thye, as prej dekadave të burgut, sot nuk është më mes nesh. Por më e pranishme se kurrë është flaka e atdhetarisë, ideali që ai ndezi në zemrat tona”, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG