Lidhje

Debat për veriun e Kosovës dhe bisedimet me Serbinë


Prishtina kërkon zbatimin e marrëveshjeve para vazhdimit të bisedimeve teknike me Beogradin – për bisedimet politike kërkohet përcaktimi i vijave të kuqe

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thanë sot se rifillimi i bisedimeve me Serbinë për çështje teknike, nuk mund të ndodhë pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, ndërsa bisedimet politike, mund të ndodhin vetëm me vija të kuqe të përcaktuara qartë.

Këto komente u bënë gjatë një diskutimi të organizuar nga Instituti “Demokraci për Zhvillim” që pasoi publikimin e dy studimeve të Projektit për Marrëdhënie Etnike, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në të ardhmen dhe qasjes ndaj veriut të Kosovës.

Një nga autorët e studimeve, Leon Malazogu, tha se me këto publikime, nuk synohet të jepen plane për zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, por të nxitet një qasje konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, që do të krijonte mundësi për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Ka një pajtim të gjerë dhe për herë të parë të gjitha palët pajtohen se statusi i veriut të Kosovës nuk është i qëndrueshëm, ka shumë deklarata edhe nga udhëheqësit serb të veriut që statusi i kësaj pjese nuk është e qëndrueshme. Forca është përjashtuar si teknikë e zgjidhjes, gjithashtu ka një konkluzion të gjerë se rezistenca ndaj planit të (Martti) Ahtisaarit është lidhur me statusin dhe tani që Bashkimi Evropian është e qartë për integritetin territorial të Kosovës ka argumente shtesë që ndoshta serbët do t'i kthehen planit të Ahtisarit më tepër dhe ndoshta mund të gjejnë diçka më shumë që është e pranueshme për ta më tepër”, tha zoti Malazogu.



Autorët e studimeve i bënë jehonë qëndrimit të shprehur në raportin e progresit të Komisionit Evropian, se Serbia duhet të respektojë tërësinë tokësore të Kosovës, me çka siç thuhet, i është dhënë fund idesë për ndarjen e Kosovës. Kjo ide u kundërshtua edhe nga Dalibor Jevtiç, nga Partia e Pavarur Liberale serbe.

Mendoj se kushdo që flet për ndarjen si mundësi, nuk ia do të mirën askujt që jeton në Kosovë”, tha ai, duke nënvizuar se është koha të punohet për zgjidhjen e problemeve dhe jo shtimin e tyre me ide të tilla.

Ndërkaq, Thomas Gnocchi, nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se është koha për të lëvizur drejt bisedimeve politike të nivelit të lartë.

Përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton, ka ofruar shërbimet e saj për të ndërmjetësuar në këto bisedime dhe ne po punojmë për të siguruar bisedime të tilla”, tha ai, duke shpresuar që kjo të ndodhë sa më parë që është e mundur.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, njëherësh shefe e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, tha se nuk mund të ketë bisedime për çështje teknike pa zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tash që nuk po zbatohen nga ana e Beogradit. Ndërsa sa u përket bisedimeve politike, zonja Tahiri por edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Sadri Ferati e Ardian Gjini, thanë se duhet përcaktuar qartë vijat e kuqe.

Ky dialog në mes të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, duhet t'i shërbej paqes dhe stabilitetit, duhet të finalizohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, duhet të ketë vija të kuqe sepse ne si shtet nuk jemi të gatshëm të bisedojmë me një shtet tjetër për punët e brendshme të vendit tonë. Pra. kjo është vijë e kuqe dhe këto janë përgjigje për të gjitha dilemat që mund të keni dhe e fundit, kërkon një konsensus të gjerë politik sepse çështje të tilla kanë karakter të interesit nacional”, tha zonja Tahiri.

Kur flitet për vijat e kuqe më pëlqen, por nuk mjafton të thuhet në parlament vijat e kuqe, por duhet të sqarohen se çka janë ato vija të kuqe sepse nuk duhet lënë vend për spekulim në interpretime çka është politike dhe çka e cenon dhe cilat janë këto vija të kuqe. Por, duhet që paraprakisht të thuhet se rregullimi i brendshëm shtetëror ku do të jetë ataku kryesor në dialog, nuk është në tavolinë”, tha zoti Ferati.

Është jashtëzakonisht me rëndësi që të vendosen vijat e kuqe por të mos jenë vija të kuqe populiste. Sa më tepër që flasim ne për vijat e kuqe të cilat duhet të merren si të qena, i relativizojmë”, tha zoti Gjini.

Çështja e bisedimeve me Serbinë pritet të jetë temë debatesh edhe ne parlamentin e Kosovës, i cili të enjten do të hedh në votim propozimin për miratimin e një Rezolute për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga partitë tjera të koalicionit qeverisës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë.

Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e ka komentuar këtë propozim, lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar ashpër duke e cilësuar atë si një veprim të dëmshëm për Kosovën. Kjo lëvizje sot kritikoi edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për afrim me qeverinë.

Paralajmërimet për bisedime të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë nxitur shume debate rreth mundësisë që kabineti qeveritar në Kosovë të ndryshojë për të krijuar një koalicion që do të përballej me sfidën e këtyre bisedimeve ku tema më e vështirë thuhet të jetë çështja e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG