Gjykata e Lartë e Kosovës, hodhi poshtë vendimin për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren. Gjykata kësisoj miratoi ankesën e lëvizjes Vetëvendosje, e cila kundërshtoi numërimin duke kërkuar që të numërohen votat me kusht dhe ato të dërguara me postë.
Vendimi për rinumërim kishte pasuar kërkesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Partisë Demokratike të Kosovës për rinumërim në Prizren, të cilat kishin kërkuar që të rivlerësohen fletëvotimet e pavlefshme, fletëvotimet e zbrazëta të hedhura kutitë e votimit dhe të numërohen të gjitha fletëvotimet e rregullta.
Në të dyja qytetet rezultatet paraprake dëshmuan një dallim shumë të ngushtë ndërmjet kandidatëve.
Kërkesa për rinumërim ishte cilësuar e papranueshme nga lëvizja Vetëvendosje. Edhe koalicioni i organizatave joqeveritare që vëzhguan zgjedhjet, Demokracia në Veprim, e kishte cilësuar vendimin për rinumërim të pa bazë dhe me mundësi të cenimit të integritetit zgjedhor.
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, tashmë pritet të numërohen votat me kusht dhe ato me postë.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor, në Prishtinë është duke kryesuar kandidati i lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti i cili ka rreth 240 vota më shumë se kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, por pa numëruar edhe mbi 1 mijë e 500 vota të hedhura me kusht dhe nëpërmjet postës.
Edhe në Prizren, kandidati i lëvizjes Vetëvendosje Mytaher Haskuka është duke kryesuar me rreth 400 vota më shumë se kandidati i Partisë Demokratike, Shaqir Totaj, por pa numëruar edhe rreth 1 mijë e 400 vota të hedhura me kusht dhe nëpërmjet postës.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për pushtetin komunal që u mbajt më 19 nëntor ishte cilësuar nga organizatat vendase e ndërkombëtare si i rregullt.
Facebook Forum