Lidhje

18 subjekte serbe për zgjedhjet në Kosovë


Mbi 100 subjekte politike të të gjitha komuniteteve në Kosovë, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal

Deri në mesnatë, mbi 100 subjekte politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal në Kosovë, janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në mesin e tyre janë 33 parti politike, dy koalicione, 53 nisma qytetare dhe 15 kandidat të pavarur. Nga ky numër 18 subjekte janë nga radhët e komunitetit serb, përfshirë edhe veriun e banuar me shumicë serbe.

Pak para skadimit të afatit ligjor për regjistrim, është paraqitur edhe lista e Nismës qytetare me emrin Serbia, që mbështetet nga qeveria në Beograd. Lista përbëhet nga përfaqësues të partive politike serbe në pushtet në Serbi dhe në mesin e kandidatëve për kryetar komunash ka edhe ish drejtues paralele të komunave veriore.

Regjistrohen 18 subjekte politke serbe
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Po nga veriu janë paraqitur edhe tri nisma të tjera përfshirë edhe atë të ish sekretarit shtetëror serb për Kosovën Oliver Ivanoviç, i cili kandidon për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës.

Autoritetet serbe kishin paralajmëruar se se do të dorëzojnë listat për zgjedhjet e ardhshme lokale, por “pasi të binden qartazi se fletëvotimet janë të paanshme ndaj statusit të Kosovës”.

Në përpjekje për të mundësuar pjesëmarrjen e serbëve të veriut në zgjedhje, autoritetet në Prishtinë vendosën që në fletëvotime të jetë vetëm logoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve por jo edhe simbolet e shtetësisë së Kosovës, një veprim që nxiti reagime të brendshme në Kosovë.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç tha se serbëve të Kosovës do t’u dërgohet mesazhi i qartë që të dalin në zgjedhjet lokale sepse në këtë mënyrë ata do të legjitimohen si përfaqësues të ligjshëm të popullit dhe institucionet që do të formohen do të jenë të ligjshme dhe të pranuara.

Në veriun e Kosovës, të mërkurën janë shpërndarë thirrje kundër pjesëmarrjes së serbëve në këto zgjedhje, kryesisht nga përfaqësues politike të afërt me opozitën në Serbi.

Pjesëmarrja e serbëve të komunave veriore në zgjedhjet komunale, është pjesë e marrëveshjes së 19 prillit e arritur ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Ata do të takohen sërish të dielën më 8 shtator në Bruksel për të diskutuar veç tjerash edhe procesin e votimeve, pas të cilit do të krijohet bashkësia e komunave serbe që sipas marrëveshjes do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.

Ambasadat perëndimore bëjnë thirrje për zgjedhje gjithëpërfshirëse

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nëpërmjet një komunikate të përbashkët "mirëpresin zhvillimet e fundit pozitive në lidhje me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit”.

Në komunikatë thuhet se “këto zgjedhje do të jenë të parat që do të mbahen në mënyrë unike në të gjitha komunat e Kosovës. Mirëpresim fleksibilitetin që institucionet e Kosovës kanë treguar në organizimin e këtyre zgjedhjeve brenda kuadrit ekzistues ligjor, si dhe rolin e lehtësuesit që OSBE-ja do ta ketë në katër komunat veriore të Kosovës. Vendimet teknike të ndërmarra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 2 shtator, shënojnë përkushtimin e Kosovës për gjithëpërfshirje dhe shpresojmë se kjo do të ndikojë pozitivisht në pjesëmarrjen e subjekteve politike dhe votuesve nga komunitetet e ndryshme anembanë Kosovës, përfshirë këtu edhe ato në veri të Kosovës”.

Duke vlerësuar faktin që mbi 100 parti politike, koalicione, nisma qytetare dhe kandidat të pavarur nga e gjithë Kosova, janë regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhje, ambasadat vlerësojnë se “llojllojshmëria e tillë e përfaqësimit është e rëndësishme për votuesit dhe konsolidimin e mëtejmë të demokracisë së Kosovës”.

Ato u bëjnë thirrje votuesve jashtë Kosovës që regjistrohen deri më 10 shtator kur edhe skadon afati për regjistrimin e tyre.

Presim një fushate energjike dhe shpresojmë që në ditën e votimit të jemi dëshmitarë të pjesëmarrjes sa më të madhe të mundshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët të misioneve diplomatike të pesë vendeve kryesore euro perëndimore
XS
SM
MD
LG