Lidhje

Kandidatët e Listës serbe fitues të zgjedhjeve në veriun e Kosovës


Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për kryetarët e komunave në veriun e Kosovës, nxorën Listën Serbe, fituese në në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç e Zveçan.

Lista Serbe, subjekti politik i themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, u përball ne këto zgjedhje me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar, apo 4 apo mbi 42 për qind e tyre. Sipas komisionit, procesi ishte i rregullt dhe pa ndonjë vështirësi që mund ta dëmtonte atë.

Votimet u ndoqën 464 vëzhgues vendas e ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata të Bashkimit Evropian dhe 12 ambasadave të huaja si dhe Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, “Demokracia ne Veprim”, konstatoi disa parregullsi, siç janë, votimi familjar, votimi jashtë kabinave në vendvotime, përpjekje për të votuar më shumë se njëherë etj.

Në veriun e Kosovës Lista serbe dhe mbështetësit e saj kremtua fitoren, ndërsa atyre u është drejtuar përmes telefonit edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke vlerësuar se zgjedhjet e së dielës ishin “ konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave kombëtare dhe shtetërore të Serbisë”.

Udhëheqësit politik të Kosovës ndërkaq vunë theksin tek procesi i rregullt i zgjedhjeve.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike tha se “Me këto zgjedhje u konfirmua sovraniteti institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës. Do të punojmë bashkë, edhe më shumë, për ta përmirësuar jetën e secilit, në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, e në tërë Kosovën”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke përshëndetur sic tha, procesin e rregullt zgjedhor, theksoi se “në këto zgjedhje të parakohshme, qytetarët e kësaj ane, dëshmuan pjekuri në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pa ndonjë incident në një proces demokratik, duke votuar për kandidatët që ata besojnë se do ju shërbejnë interesave të tyre”.

Të katër komunat, janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar, kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë Beogradi kushtëzon rifillimin e tyre me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG