Lidhje

Jacque: Nuk pati korrupsion në radhët e EULEX-it


Eksperti i pavarur, Jean Paul Jacqué, tha se nuk ka gjetur asnjë provë mbi dyshimet për korrupsion brenda strukturave të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë

Eksperti francez, Jean Paul Jacqué, nuk ka gjetur asnjë provë për korrupsion brenda strukturave të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë. Zoti Jacque solli këtë përfundim, pas katër muaj hetimesh dhe intervistimit të 40 personave që kur në nëntor të vitit të kaluar mori detyrën nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të EULEX-it me përqendrim në dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Jacque: Nuk pati korrupsion në radhët e EULEX-it
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:35 0:00

Emërimi pasoi reagimet që nxitën dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të EULEX-it mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it thanë atëbotë se besojnë që dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna.

Ajo ka hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje në një proces gjyqësor. Gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin zotit Flori për të mundësuar përparimin e hetimeve.

Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, ishin shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013.

Hetuesi francez thekson se ka munguar një komunikim më i mirë ndërmjet EULEX-it në Prishtinë dhe Brukselit. Në raportin e tij thuhet se “hetimet është dashur të hapeshin që në fillim. Kjo do të parandalonte ngritjen e mëvonshme të çështjeve në ndërlidhje me përdorimin e procedurave të fshehta dhe të posaçme, të cilat kanë ushqyer dyshimet për fshehje, dhe të cilat, thekson ai, fatmirësisht dolën të jenë të pabazuara”.

Zoti Jacque, kritikon misionin për çështje procedurale në trajtimin e dyshimeve që mund të jenë ngritur, ndërsa shqetësimet e prokurores Bamieh i vlerëson si ndjesi të lënies pasdore për shkak të moskomunikimit të mirë brenda misionit.

Zëdhënësja e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Maja Kocijançiç, tha se “raporti është vetëm njëra nga masat e ndërmarra. Hetimi gjyqësor për akuzat është ende duke u zhvilluar dhe natyrisht shpresojmë që ky hetim të përfundojë sa më shpejtë që është e mundshme. Raporti i profesorit Jacque merret me zbatimin e mandatit të EULEX-it kur bëhet fjalë për trajtimin e akuzave për korrupsion...”.

Ajo tha se raporti përfshinë 21 rekomandime që do të merren shumë seriozisht nga BE-ja. Ajo tha se raporti “nuk është ndonjë lehtësim”, por një hap para për sqarimin akuzave dhe “të sigurohemi që misioni është në gjendje që të merret si duhet me çfarëdo që duhet bërë për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë”.

Raporti u është dorëzuar sot vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian i cili qe shprehur i shqetësuar me mundësinë që pohimet për korrupsion mund të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

XS
SM
MD
LG