Lidhje

Lirohet e arrestohet sërish Naser Kelmendi


EULEX-i arrestoi Naser Kelmendi, që ndodhet në listën amerikane si një nga bosët e drogës, pak pas skadimit te ndalimit 48 orësh nga policia e Kosovës

Në Kosovë, policia e Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, arrestoi Naser Kelmendin, shtetas boshnjak me prejardhje nga Kosova, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Ai u arrestua nga njësitë e EULEX-it, vetëm pak minuta pas lirimit nga paraburgimi policor 48 orësh, ku ishte mbajtur nga e diela në mbrëmje kur ishte arrestuar nga policia e Kosovës, në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.

Zyrtarë të EULEX-it thanë të martën në mbrëmje se Naser Kelmendi, u arrestua sërish në bazë të një urdhri të prokurorit të EULEX-it dhe operacioni ishte kryer në bashkërednim të ngushtë me prokurorët vendas.

Në njoftim thuhet se i dyshuari, ndër të tjera, po merret në pyetje edhe për krim të organizuar.

Emri i Naser Kelmendit qe rishfaqur në mediet e Ballkanit në shtator te vitit të kaluar kur autoritetet boshnjake ndërmorën një operacion në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar, që përfshinte bastisje në mbarë vendin në kërkim të personave të dyshuar për vrasje trafikim droge dhe plaçkitje.

Autoritetet boshnjake thanë se personat e kërkuar në atë që u cilësua si operacioni më i madh kundër krimit të organizuar që pas përfundimit të luftës në Bosnjë, janë të dyshuar mes të tjerash edhe për vrasjen në vitin 2007 të myslimano-boshnjakut Ramiz Dalaliç, i cili qe bërë një figurë kryesore në krimin e organizuar pas luftës.

Mediet boshnjake thanë se një nga vendet e bastisura ishte një hotel në pronësi të shqiptarit Naser Kelmendi, i cili ndodhet në listën e Shteteve të Bashkuara si një nga bosët ndërkombëtarë të drogës.

Pak, pas operacionit atëbotë qe thënë se Naser Kelmendi është parë në Kosovë, në qytetin ku ai është lindur në vitin 1958, por autoritetet nuk e kishin konfirmuar asnjëherë një gjë të tillë.

Mediat në disa vende Ballkanike e cilësojnë atë si një prej njerëzve kryesor të krimit të organizuar ne rajon, ndërsa në listën amerikane emri i Naser Kelmendit radhitet përkrah atij të kreut të kartelit meksikan të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

Autoritetet boshnjake thanë se do të kërkojnë dorëzimin e të arrestuarit nëpërmjet mekanizmave ndërkombëtarë, një proces që duket të jetë i ndërlikuar për shkak se Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, jo shumë kohë më parë autoritetet e Prishtinës u kishin dorëzuar autoriteteve të Sllovakisë një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nëpërmjet Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, pavarësisht që Sllovakia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por, avokatët mbrojtës të Naser Kelmendit thanë se ai ka edhe shtetësi të Kosovës dhe kjo e pamundëson dorëzimin e tij, ose të paktën e bënë edhe më të ndërlikuar.
XS
SM
MD
LG