Lidhje

Kosovë: Hetohen tetë persona lidhur me rastin “Medicus”


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, bëri të ditur se tetë persona po hetohen në lidhje me procesin gjyqësor nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë, që përfundoi të hënën.

Në njoftim thuhet se një prokuror i posaçëm ka lëshuar një urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve për veprat penale siç janë krimi i organizuar, trafiku me qenie njerëzore, lëndimet e rënda trupore, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit, mashtrimi dhe ushtrimi i ndikimit.

Ky hetim i ri është i bazuar në hetimet e kryera në rastin “Medicus”, si dhe në gjetjet tjera gjatë fazës së gjykimit. Aktualisht ekzistojnë dyshimet e bazuara se të dyshuarit e kanë vepruar në bashkëkryerje apo kanë ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi pjesëtarët e grupit të krimit të organizuar në kryerjen e veprave të rënda, siç është trafikimi me qenie njerëzore me qëllim të heqjes së organeve.

Misioni nuk ka dhënë asnjë informacion për identitetin e personave që po hetohen.

Prokurorët mendojnë se “pa përkrahjen apo bashkëpjesëmarrjen e këtyre të dyshuarve, pjesëtarët e grupit kriminal në Medicus nuk do të ishin në gjendje të kryejnë përgatitjet, që paraqesin elementet thelbësore të veprave penale, për të arritur rezultatet e dëshiruara apo tentojnë të fshehin veprimet e tyre të paligjshme duke inskenuar një gjendje gjoja ligjore”.

Të hënën në Prishtinë, një gjykatë e drejtuar nga EULEX-i, shpalli fajtor dhe dënoi me gjithsej 20 vjet e tre muaj heqje lirie pesë persona, nën akuzat për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë.

Gjykata dënoi urologun Lutfi Dervishi me tetë vjet heqje lirie dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh, Arban Dervishin, me shtatë vjet e tre muaj heqje lirie dhe një gjobë prej 2 mijë e 500 eurosh, ndërsa Sokol Hajdinin me 3 vjet, Islam Bytyqin dhe Sylejman Dullën me nga një vjet heqje lirie me kusht.

Sipas prokurorëve të EULEX-it, të akuzuarit ishin përfshirë në rekrutimin e më shumë se 20 shtetasve të huaj nga Moldavia, Kazakistani, Rusia, Ukraina e Turqia, të cilëve pretendohet se u ishin premtuar nga 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u ishte kërkuar që të paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë dollarë.

Gjatë procesit janë marrë në pyetje më shumë se 80 dëshmitarëve, në më shumë se 100 seanca gjyqësore, të cilat kanë nisur që në vitin 2011.

Aktakuza përfshinte edhe shtetasin izraelit, Moshe Harel, si kreun e e rrjetit për rekrutimin e dhuruesve dhe identifikimin e marrësve të organeve, ndërsa mjekun Yusuf Sonmez, për kryerje të operacioneve në klinikën private Medicus në Prishtinë. Por, asnjëri nuk është vënë para drejtësisë në Kosovë.

Ligjet në Kosovë ndalojnë çdo veprimtari të transplantimit të organeve nëpër klinikat private.
XS
SM
MD
LG