Lidhje

Europarlamentarët duan rezultate të shpejta të hetimeve ndaj EULEX-it


Zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian mbështetën vendimin e shefes së politikes së jashtme të BE-së, Federica Mogherini për hetim të pavarur të dyshimeve për korrupsion në EULEX

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek dhe kryetari i komitetit për politikë të jashtme të këtij parlamenti, Elmar Brok, mirëpritën vendimin e shefes së politikës së jashtme te Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, për emërimin e një eksperti të pavarur ligjor, që do të hetojë dyshimet për korrupsion në radhët e Misionit për sundimin e ligjit në Kosovë.

Hetimi për EULEX-in
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:36 0:00

Por, ata kërkojnë rezultate të shpejta të hetimeve. Të dy zyrtarët e Parlamentit Evropian i kanë dërguar një letër zonjës Mogherini, në të cilën thuhet se emërimi i hetuesit të pavarur është vetëm hapi i parë. Ata nënvizojnë se është shumë e rëndësishme që sa më parë të ndriçohen të gjitha dyshimet për korrupsion dhe pohimet për hetime të brendshme që janë zhvilluar fshehurazi.

Zyrtarët e EULEX-it thanë javën e kaluar se janë duke hetuar dyshimet e publikuara në një seri shkrimesh të së përditshmes Koha Ditore, se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të disa të akuzuarve për vepra penale. Zyrtarë të EULEX-it besojnë se dokumentet kanë rrjedhur nga prokurorja britanike e këtij misioni Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna dhe ndaj saj thuhet se ka filluar një proces i hetimeve administrative.

Zyrtarët e EULEX-it thanë se dyshimet e hedhura nga zonja Bamieh, janë shqyrtuar në tërësi që nga viti 2013. Ajo ka hedhur dyshime se gjykatësi i këtij misioni Francesco Flori, ka marrë 300 mijë euro për të hedhur poshtë akuzat për vrasje. Gjykatësi Flori ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa Bashkimi Evropian i ka hequr pjesërisht imunitetin zotit Flori për të mundësuar përparimin e hetimeve.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogherini tha të martën në Bruksel se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor për të shqyrtuar zbatimin e mandatit të misionit për sundimin e ligjit në Kosovë dhe posaçërisht për të shqyrtuar dyshimet për korrupsion në radhët e këtij misioni.

Europarlamentarët thanë se ky është një reagim i shpejtë që dëshmon vullnetin e zonjës Mogherini, por shumë çështje mbeten ende pa përgjigje. Ata shprehin besimin se EULEX-i ka luajtur dhe vazhdon të luaj një rol të rëndësishëm në Kosovë, prandaj dyshimet duhet të shqyrtohen menjëherë dhe në mënyrë transparente. Pa e paragjykuar përfundimin e hetimeve, thuhet në letër, duhet të ketë një tolerancë zero sa i përket korrupsionit. Parlamenti evropian do të shqyrtojë veprime të ndryshme të hetimeve përfshirë edhe ngritjen e një komisioni hetimor, pasi të ketë marrë përgjigjet nga zonja Mogherini për këtë çështje.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit dhe mundësinë që ato të dëmtojnë imazhin dhe besimin e EULEX-it, i cili u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

XS
SM
MD
LG