Lidhje

Kosovë, dy të arrestuar për propagandë terroriste


Policia e Kosovës tha të mërkurën se ka arrestuar dy persona nën dyshimin për propagandë në favor të grupeve ekstremiste.

Në një njoftim të policisë thuhet se njëri është arrestuar në Mitrovicë dhe tjetri në qytetin e Lipjanit, rreth 20 kilometra në jug të Prishtinës.

Policia thekson se “personat e arrestuar, dyshohet se kanë shpërndarë propagandë në mbështetje të grupeve terroriste, veprime këto të dënueshme me ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”. Ky ligj ishte miratuar në mars të vitit 2015 në parlamentin e Kosovës dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për ata që u bashkohen luftërave të huaja, rekrutojnë apo nxisin atë bashkim.

Policia tha se gjatë arrestimeve janë sekuestruar disa pajisje elektronike dhe gjësende tjera, të cilat janë përdorur për kryerjen e veprës penale, por nuk dha më shumë hollësi rreth veprimtarive të të arrestuarve dhe as nuk e bëri të ditur identitetin e tyre.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur.

Rreth 200 veta janë arrestuar ose hetuar dhe mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve. Shifrat e përafërta zyrtare flasin se në Lindjen e mesme edhe më tej ndodhen 140 veta nga Kosova nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë. Rreth 60 veta kanë humbur jetën në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG