Lidhje

FIFA i hap rrugën Kosovës për ndeshje miqësore


Federata Ndërkombëtare e Futbollit tha se ekipet e Kosovës mund të luajnë ne ndeshje miqësore me ekipet botërore të futbollit, por pa simbole

Federata Ndërkombëtarë e Futbollit i ka dhënë lejen Kosovës që ekipet e saj të luajnë ndeshje miqësore të futbollit në planin ndërkombëtarë.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka deklaruar se vendimi pasoi takimet me përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë.

Vendimi paraqet një shtyrje të madhe për zhvillimin e futbollit në Kosovë dhe sërish konfirmon forcën e jashtëzakonshme të këtij sporti për t’i bashkuar njerëzit”, ka deklaruar ai nëpërmjet një komunikate për opinion të FIFA-s.

Zyrtarë të federatës së futbollit të Kosovës thanë se ekipeve të saj u lejohet të luajnë ndeshje ndërkombëtare miqësore, tash për tash, pa simbole shtetërore dhe me një shënim (fusnotë) afër emrit të saj. Shënimi ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2012 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilin i mundësohej Kosovës pjesëmarrja në forumet ndërkombëtare.

Leja për lojëra miqësore nuk përfshinë vendet e dala nga ish Jugosllavia.

Në maj të vitit 2012, FIFA ishte pajtuar në parim për të lejuar Kosovën që të luajë ndeshje miqësore, por për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga Serbia dhe nga presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit, Michel Platini, vendimi përfundimtar është zvarritur deri tash.

Kosova ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar pjesëmarrjen në konkurrencën ndërkombëtare në fushën e sporteve që nga shpallja e pavarësisë së saj që është njohur nga mbi 100 vende të botës.

Vendimi i FIFA-s u mirëprit në Kosovë. Ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Memli Krasniqi, tha se “me këtë vendim. futbolli i Kosovës ka fituar, aq më tepër që tashmë do të prezantohet në arenën ndërkombëtare zyrtarisht dhe ka hyrë në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë”.
XS
SM
MD
LG