Lidhje

Futbollisti i ri serb që luan në Prishtinë – përballet me fyerje e kërcënime në Serbi


Futbollisti i ri, Ilija Iviç nga komuna e Graçanicës, afër Prishtinës, mori një ftesë ditë më parë për t’u bërë pjesë e ekipit të Kosovës. Një ditë pasi mediet publikuan lajmin, e ëma u shkarkua nga puna në Qendrën kulturo-arsimore, një institucion që funksionon në sipas sistemit serb dhe nga autoritetet në Kosovës cilësohen si organe paralele.

Futbollisti 16 vjeçar, i cili tash e tre vjet luan për ekipin e futbollit “Flamurtari” në Prishtinë, nuk ka mundur ta paramendojë se familja e tij, por edhe vet ai, do të futen në telashe të mëdha, pasi publikoi në profilin e tij në facebook një intervistë në të cilën ai tha se ka pranuar ftesën që të luajë për Kosovën.

Kjo u pasua me shkrime në disa medie të Beogradit që i dhanë ngjyrime negative synimit për të luajtur për ekipin përfaqësues të Kosovës.

“Shpërthen bomba – serbi i parë në reprezentacionin e Kosovës”, “Turp e faqe e zezë: ky është serbi i parë që do të luajë për shtetin e rrejshëm të Kosovës”, “Tronditëse: Serbi ka pranuar të luajë për reprezentacionin e Kosovës”, “Këtë nuk është dashur ta bëj atje, po i përgatitet ferri”, ishin disa prej titujve të shkrimeve në mediet serbe.

Titujt e tillë u pasuan me fyerje por edhe kërcënime në rrjetet sociale. Dhe ky nuk ishte fundi. Nëna e tij, Tanja Iviç u nxor nga puna. Arsyetimi – tepricë teknologjike.

“Në bisedën jo zyrtare se pse kam mbetur pa punë, më kanë thënë se është pikërisht oferta për pjesëmarrje (të të birit) në përfaqësuese. Mua aktualisht më rrezikohet ekzistenca në çdo aspekt, por nuk do të heqë dorë. Në interesin tim është që fëmija im të bëjë atë që dëshiron dhe atë që meriton me punën e deritashme. E kam pak vështirë të flasë për këtë, por asgjë nuk kemi gabuar. Vërtetë asgjë, pasi kur munden disa njerëz të punojnë në të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga deputetët e deri tek shkalla më e ultë e pushtetit, mendoj se asgjë nuk kemi gabuar. Duam t’i ofrojmë përkrahje maksimale. Ky është sport, jo politikë”, tha për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, Tanja Iviç.

Disa medie duke ju referuar Federatës së Futbollit të Kosovës, thanë se edhe i ati i futbollistit, Dushko Iviç, e ka humbur vendin e punës. Kjo nuk është e saktë. Ndonëse ai nuk e përjashton mundësinë të ketë fatin e gruas së tij, megjithatë beson se kjo nuk do të ndodhë.

“Është e vërtetë që gruaja ime humbi punën. Unë jo, por ekziston mundësia që edhe mua të më ndodhë kjo. Unë si prind nuk kam të drejtë që fëmijës tim që është i talentuar për futboll, t’ia mohojë të ardhmen. Nuk na intereson politika, na intereson vetëm fëmija ynë të cilit i është ofruar mundësia që të përparojë në sport. Nuk e di kujt mund t’i pengojë kjo”, tha Dushko Iviç për Zërin e Amerikës.

Futbollisti i ri tha se nuk merret me shkrimet e medieve dhe fyerjet e shumta. Ai tha se futbolli është jeta e tij dhe se asgjë tjetër nuk i intereson.

“Mua tani më intereson vetëm futbolli. Siç e shihni unë luaj këtu tash e tre vjet dhe nuk kam kurrfarë problemesh. Nuk e di pse flitet për këtë”, tha ai të shtunën gjatë stërvitjes në Prishtinë.

Drejtori i klubit të futbollit “Flamurtari”, Arbnor Morina, tha për Zërin e Amerikës se Ilija është ndër futbollistët e rinj më të talentuar në Kosovës dhe nuk i kupton sulmet dhe politizimin e këtij rasti.

"Kam pasur fatin të luaj për ekipe të famshme në ish Jugosllavi. Kam qenë edhe kapiten klubi në fund e kështu me radhë. Kam luajtur edhe për ekipin përfaqësues, por kurrë nuk ka pasur trysni të tillë që një djalosh të mos mund të përmbushë ëndrrën e tij. Mendoj që kjo është gabim, shumë gabim, sepse, nëse ka në parlament deputetë serb, nëse ka ministra në qeveri, atëherë përse penguaka një djalosh që merret me futboll? Mendoj që nuk është në rregull, sepse fundi i fundit, të gjithë themi se politika nuk duhet të përzihet në sport, ndërsa tash kjo duket përzierje e drejtpërdrejtë në sport”, tha zoti Morina.

Miqtë e futbollistit të ri e mbështesin atë.

“E mbështes plotësisht Ilijan sepse djaloshi duhet të përmbushë ëndrrën e tij dhe qëllimet e tij dhe mendoj që të tjerët nuk duhet fare të komentojnë për këtë. Natyrisht që duhet të vazhdojë ndërtimin e karrierës dhe të ardhmes së tij”, tha Milica Iliç nga Graçanica.

“Duhet të merret me sport dhe te ecë më tutje me karrierën e tij, të përparojë. Domethënë nuk duhet ta pengojë askush, as politika, as të tjerët. Vetëm duhet të vazhdojë të merret me sport”, tha Damjan Markoviç po nga kjo komunë.

Klubi i futbollit Flamurtari ku po luan Ilija Iviç, ekziston që nga viti 1968.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG