Lidhje

Kancelarja Merkel kërkon më shumë përparim të Kosovës drejt BE-së


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për më shumë përparim në Kosovë në luftën kundër krimit e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo i bëri këto komente para takimit të së mërkurës në Berlin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ajo tha se ka pasur përparim në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane por ende ka një sëre sfidash përpara.

"Ne qartazi duam më shumë përparim, në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe qartazi, papunësia është një problem dhe sfidë e madhe dhe kudo që mund të përmirësojmë bashkëpunimin tonë ekonomik dhe ku mund të ndihmojë Bashkimi Evropian, ne do ta bëjmë këtë", tha zonja Merkel.

Ajo vuri theksin edhe tek bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që janë kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.

"Çështje thelbësore sa i përket afrimit me BE-në janë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E dime që nuk është e lehtë, por besojmë se është arritur përparim. Por, duhet të vazhdojmë punën për këtë", tha kancelarja Merkel.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se do të dëshironte një rol më aktiv mbështetës të kancelares Mërkel në këtë proces.

"Ju do të ishit shpresa e Ballanit Perëndimor", i tha ai kancelares Merkel, duke e siguruar atë se "Kosova është e gatshme të hap kapitullin e periudhës përfundimtare të bisedime për të arritur një marrëveshje të detyrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

Viti 2018 është periudhë kur Bashkimi Evropian pret përparim në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG