Lidhje

Gjermania kërkon që Kosova të heqë tarifat ndaj mallrave serbe


Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i bëri thirrje Kosovës të martën që të anulojë ose të paktën të pezullojë tarifën prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Ministri Maas, duke folur ne Paris në një takim për parandalimin e përhapjes së armëve të lehta nga Ballkani, e vlerësoi për keqardhje tërheqjen e përfaqësuesve të pakicës serbe nga institucionet e qeverisjes në veriun e Kosovës.

"Përshkallëzimi i mëtejshëm duhet të parandalohet në mënyrë emergjente dhe duhet të ruhet suksesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve”, tha ai.

Tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u shtuan gjatë muajve të fundit, pasi Beogradi bllokoi anëtarësimin e Kosovë në policinë ndërkombëtare.

Kosova tha se do nuk do të anulojë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe të cilat i vendosi më 21 nëntor, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën dhe sfidoi thirrjet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për tërheqjen e tarifave.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sërish të martën se tarifa ishte masë mbrojtëse për ekonominë e Kosovës dhe nga agresioni politik i Serbisë, por nuk është drejtuar ndaj popullit serb.

Vendimi ndërpreu tregtinë ndërmjet dy vendeve ndërsa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se kjo mund të çojë në destabilizimin e rajonit.

Ministri Maas tha se marrëdhëniet e përmirësuara do të përshpejtonin përpjekjet e Serbisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Në vend që të mendojnë për ndryshimin e kufijve, Beogradi dhe Prishtina duhet t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre për një marrëveshje të zbatueshme që përfshinë të gjitha çështjet e hapura dhe e bën të mundur një normalizim gjithëpërfshirës”, tha ministri Maas.

Gjermania vazhdon të jetë më e zëshmja kundër ideve për prekjen e kufijve si rrugë e arritjes së një marrëveshjeje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë verës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kërkuan mbështetje ndërkombëtare për një marrëveshje që do të mund të prekte edhe kufijtë ndërmjet të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi, hodhi idenë “korrigjimit të kufirit” që sipas tij, nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me Kosovën.

Presidenti Vuçiç, hodhi idenë e ‘vënies së kufirit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve”, që nënkupton ndarjen e Kosovës asisoj që veriu i saj më shumicë serbe t’i takojë Serbisë.

Idetë e tyre nxiten reagime në Kosovë dhe Serbi por edhe skenën ndërkombëtare, ndërmjet atyre që do të mbështesnin mundësinë e prekjes së kufijve nëse palët pajtohen dhe atyre që pohojnë se kjo do të shkaktonte reagime zinxhirore në Ballkan.

Presidenti serb tha kohëve të fundit se ideja e tij ka rënë poshtë meqë “opinioni serb nuk e mbështeti atë”.

Presidenti Thaçi në një intervistë për Zërin e Amerikës në fund të nëntorit tha se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, që do të çonte në një njohje të ndërsjellë të të dy shteteve si vende sovrane, nuk mund të arrihet pa definimin e kufirit me Serbinë.

Mbështetur në agjencinë e lajmeve "Reuters"

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG