Lidhje

Kosovë, projekt punësimi në Graçanicë


Aleanca e Bizneseve të Kosovës, hapi sot projektin e punësimit në Graçanicë, i pari i këtij lloji në një komunë me shumicë serbe




Slobodan Laziç, nga një fshat i komunës së Graçanicës, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, nuk ka punuar asnjëherë deri tash. Sot ai kishte shpresë për një vend pune në projektin e punësimit Kosova 2012 i organizuar nga Aleanca e Bizneseve të Kosovës. Projekti i cili tashmë disa vjet organizohet nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës, për herë të parë sot u organizua në një mjedis të banuar me shumice serbe.

“Slobodan Laziç konkurron për çfarëdo pune meqë sikurse edhe shumë moshatar të tij në Kosovë nuk ka pasur mundësi të punojë gjëkundi”.

Në komunën e tij sot dhjetë kompani ofruan hapësirë për 100 vende pune. Kryetari i Aleancës së Bizneseve Agim Shahini tha se synimi kryesor i këtij projekti është ofrimi i mundësisë së punësimit për qytetarët e kësaj komune.

“Qëllimi i dytë, është që të demonstrojmë para jush fuqinë se ne kemi mundësinë që t'iu punësojmë dhe t'iu integrojmë nëpër kompanitë vendore anembanë Kosovës”, tha zoti Shahini.

Ndërkaq, Nebojsha Periç, përfaqësues i komunës së Graçanicës, e cilësoi projektin e punësimit si një ngjarje me rëndësi të veçantë për komunën e tij.

“Kjo është një ngjarje që shpresojmë se do të ndihmojë zvogëlimin e problemit më të madh në komunën e Graçanicës që është shkalla e lartë e papunësisë”, tha ai duke nënvizuar se kjo komuna nuk dallon nga pjesët tjera të Kosovës ku shkalla e papunësisë arrin në mbi 44 për qind.

Për zotin Shahini, afarizmi nuk njeh përkatësi kombëtare as ngjyrë e as besim, por zhvillim dhe qëndrueshmëri. Ai tha se zbatimi i projektit kërkoi shumë kohë.

“Kemi punuar më shumë se pesë muaj në këtë drejtim për të ardhur sot këtu, për t'i bindur qytetarët e institucionet dhe gjithë spektrin e gjerë se qëllimi jonë i përbashkët është punësimi, zhvillimi dhe integrimi. Kjo në komunën e Graçanicës po ecë mirë dhe shpresoj që edhe në komunat tjera me komunitet serb dhe të tjerë ne do të realizojmë projekte të tjera”, tha zoti Shahini.

Komuna e Gracanicës, u themelua pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kuadër të planit të kryenegociatorit të Kombeve të bashkuara Martti Ahtisaari që parashihte krijimin e pesë komunave të reja me shumicë serbe. Katër komuna u krijuan pas zgjedhjeve të vitit 2009, ndërsa edhe më tej nuk është realizuar plani për krijimin e komunës se Mitrovicës së veriut, për shkak të refuzimit të serbëve lokal dhe Beogradit. Ata kanë kundërshtuar ndërkaq edhe planet e qeverisë së Kosovës për hapjen e një zyreje administrative në veri që shihet si hapi i parë i rëndësishëm drejt krijimit të komunës së re dhe integrimit të asaj pjese të banuar me shumicë serbe ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
XS
SM
MD
LG