Lidhje

Kosovë: Festivali i grafiteve “Meeting of Styles”


Mbi 70 artistë nga mbi 10 shtete të ndryshme të botës, po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë, si pjesë e festivalit të grafiteve “Meeting of Styles”.

Kosovë: Festivali i grafiteve “Meeting of Styles”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Nacho, vjen nga Spanja dhe ndodhet për herë të parë në Kosovë. Ai tha për Zërin e Amerikës se kishte dëgjuar për Kosovën para pesë vjetësh nga një mik që kishte marrë pjesë atëbotë në festivalin “Meeting of Styles” në Prishtinë.

“Është hera e parë që jam në Kosovë, ‘Meeting of Styles’ është një festival mjaft i njohur dhe një mik i imi morri pjesë këtu para pesë vitesh. Që atëherë vazhdimisht më ka thënë se ka kaluar më së miri ndonjëherë në Kosovë dhe se unë duhet ta vizitoja patjetër këtë vend, më në fund jemi këtu. Organizimi është shumë i mirë dhe po na pëlqen shumë, për mua arsye kryesore përse e bëj këtë punë është që të vizitoj vende të ndryshme e të takoj njerëz të rinj”, tha ai.

Agon Xhelili, një nga organizatorët e këtij festivali, thotë se synimi themelor është promovimi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Si festival ndikon shumë në imazhin tonë, meqë kemi të bëjmë direkt me një grup të artistëve ku pas pjesëmarrjes këtu e promovojnë vendin më së miri, janë ambasadorë tanë në njëfarë mënyre dhe kjo i ndihmon shumë vendit. Këta artistë mund të vijnë me një ide dhe kthehen me një ide tjetër në vendet e tyre e kjo i bën mirë edhe komunitetit të artit por edhe kryesisht imazhit të vendit”, tha zoti Xhelili.

“Është hera ime e dytë që e vizitoj Kosovën, unë vij nga Bullgaria dhe merrem me grafite për më shumë se 15 vjet. Herën e kaluar kam qëndruar në Kosovë vetëm për disa orë meqë po kaloja këndej, ndërkaq tash jam duke e shijuar kohën këtu, duke eksploruar qytetin dhe duke takuar artistë nga mbarë bota”, tha një pjesëmarrës nga Bullgaria.

Jeton Nikçi, i tha Zërit të Amerikës se është rritur në New York të Shteteve të Bashkuara, prej nga ka lindur edhe pasioni i tij për grafitet.

“Ku jam rritur unë, në Brooklyn të New York-ut, atje është vendi i lindjes së këtij lloj arti - grafiti. Kështu që prej se kam qenë i vogël i kam parë duke zhvilluar grafiti dhe tash jam shumë krenar që shoh festivale për grafite rreth botës, e sidomos tash në Kosovë e në Shqipëri”, tha ai.

“Meeting of Styles” filloi për herë të parë në Gjermani në vitin 2002, si një nismë e admiruesve të grafitit, me synim të mbështetjes së shkëmbimit ndërkulturor mes vendeve të ndryshme. Në Kosovë këtë vit mbahet edicioni i pestë i këtij festivali, që do të zgjasë tre ditë dhe do të përfshijë pesë segmente të rrugës që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën.

XS
SM
MD
LG