Lidhje

Protestë me kërkesën për lirimin e Ramush Haradinajt


Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën e organizuar nga Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mbështetje të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili vazhdon të mbahet në Francë.

Një gjykatë e apelit në Francën lindore e liroi me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, por tha se ai duhet të qëndrojë në Francë deri në shqyrtimin e kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij, nën akuzat për krime lufte.

Kryetari Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të zotit Haradinaj, bëri thirrje që të mos ndalohen ish-luftëtarët e UCK-së në bazë të siç tha ai akuzave të fabrikuara.

Ne sot nga këtu u bëjmë thirrje të gjitha shteteve perëndimore që edhe ato të heqin dorë nga ndalimi dhe aktakuzat mashtruese të Serbisë ndaj ish pjesëtareve dhe komandantëve të UCK-së, sepse ne e dimë dhe jemi të sigurt që kemi bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare, kemi bërë luftë të pastër për liri”, u shpreh Gucati.

Ndërkaq nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini i cili tha se nuk duhet lejuar që Serbia të mbajë tërë Ballkanin, siç tha ai, në mendësi të luftës e dhunës.

Evropa nuk duhet me leju, ne nuk duhet me leju që 18 vjet pas lufte këta njerëz, këta njerëz që kanë dhanë urdhër edhe i kanë vra fëmijët e vet për me na akuzu neve, nuk munden me mbajtë krejt Ballkanin në psikozë të luftës e në mendësi të luftës, nuk munden dhe nuk duhet me i leju”, tha ai.

Beogradi e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte, ndonëse ai është shpallur dy herë i pafajshëm për akuza të tilla në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë.

Arrestimi i zotit Haradinaj me 4 janar në bazë të një urdhër arresti serb nxiti reagime në shkallë të gjerë në Kosovë ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i tij.

Pak pas vendimit të gjykatës në Francë, zoti Haradinaj në një intervistë me Zërin e Amerikës është shprehur se krejt procesi kundër tij është një lojë politike e Serbisë.

XS
SM
MD
LG