Lidhje

Kosova përkujton Holokaustin


Esther Levi, e mbijetuar e Holokaustit

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha të enjten se Holokausti është dëshmia më tronditëse se sa të rrezikshme janë ideologjitë ekstremiste. Ai i bëri këto komente në një manifestim kushtuar ditës së Holokaustit që u mbajt në Prishtinë.

Zoti Veseli tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për promovimin dhe mbështetjen e komunitetit hebre në Kosovë. Ai tha se tronditja njerëzore nga krimi i Holokaustit vazhdon të jetë e madhe edhe pas kaq shumë vjetësh.

Holokausti, përpjekja e organizuar dhe sistematike për zhdukjen e popullit hebre është dëshmia më tronditëse se sa të rrezikshme janë ideologjitë ekstremiste, lëvizjet politike që motivohen nga urrejtja grupore dhe organizatat që ushqejnë paragjykimet kolektive mes kombeve. Sërish kemi para syve dhunë, urrejtje, gjakderdhje, humbje të jetëve të njerëzve të pafajshëm, shkatërrime qytetesh, kolona refugjatësh që braktisin vendet e tyre, fytyra të përlotura fëmijësh skaj rrugëve dhe poshtë gërmadhave dhe shkaku është prapë i njëjtë, luftërat e egra për sundim dhe ideologjitë ekstremiste”, tha Veseli.

Një dokumentar i shkurtër i shfaqur në manifestim solli pjesëza të jetës së Esther Levit, e lindur në Mitrovicë dhe e mbijetuar e Holokaustit. Ajo solli në kujtesën e të pranishmëve mbështetjen që kishte gëzuar familja e saj në Kosovë.

Për mua kjo është hera e dytë që vij këtu, dhe më vjen shumë mirë që jam në mesin e juaj, sepse unë kam lindur këtu, unë jam e juaja, njëkohësisht falënderoj familjen time që të gjithë kanë ardhur këtu, ata jetojnë në Prizren, faleminderit”, tha zonja Levi.

Holokausti njihet si një nga tragjeditë më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë miliona njerëz. Dita botërore e përkujtimit të kësaj tragjedie është përcaktuar të jetë 27 janari.

Mijëra hebrenj ishin shpëtuar nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndihemi shumë krenar në të njëjtën kohë për të gjithë ata bashkëkombës tanë që në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore u kanë ofruar mbështetje dhe strehim, duke rrezikuar edhe vet familjet e tyre, njerëzve të cilët kanë pasur përkatësi hebreje. Ndihemi shumë krenar për këtë dhe nuk do të ndalemi së shprehuri këtë pjesë të realitetit tonë historik”, tha kryetari i parlamentit Kadri Veseli.

Ne qendër të Prishtinës është edhe një pllakë përkujtimore për hebrenjtë që pësuan gjatë Holokaustit nëpër kampet e përqendrimit në Gjermani dhe pjesë të tjera të Evropës, si dhe për të nderuar hebrenjtë që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në Kosovë.

Pllaka ndodhet në vendin kur dikur ngrihej sinagoga e vetme në qytet dhe e cila ishte rrënuar në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar nga regjimi komunist i kohës.

XS
SM
MD
LG