Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur të premten se ka ndarë 56.5 milionë dollarë si mbështetje emergjente për Kosovën.
Në një komunikatë të këtij fondi thuhet se financimi është bërë përmes “instrumentit të Financimit të Shpejtë, që siguron ndihmë financiare të shpejtë dhe me qasje të ulët për vendet anëtare që përballen me një nevojë urgjente të bilancit të pagesave, pa nevojën e një programi ekonomik të plotë ose rishikime. Mund të sigurojë mbështetje për të përmbushur një gamë të gjerë të nevojave urgjente, përfshirë ato që rrjedhin nga tronditjet e çmimeve të mallrave, katastrofat natyrore, konfliktet dhe situatat pas konfliktit”, thuhet në komunikatë.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pandemia e COVID-19 dhe masat e ndërmarra në pengimin e zgjerimit të saj, e kanë dobësuar rëndë pamjen ekonomike të Kosovës. “Ekonomia pritet të tkurret me 5 për qind në vitin 2020 pasi që turizmi, dërgesat nga emigracioni, eksportet e mallrave dhe Investimet e Huaja të drejtpërdrejta do të ulen”.
Zëvendës drejtori menaxhues dhe kryesuesi i radhës i bordit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, citohet të ketë thënë se “pandemia globale COVID-19 ka ndikuar negativisht në Kosovë, duke krijuar një nevojë urgjente të bilancit të pagesave. Brenda vendit, rritja e pasigurisë dhe kufizimet e lëvizjes kanë ndërprerë furnizimin dhe kufizojnë më tej kërkesën”.
"Si rezultat i këtyre masave, deficiti buxhetor pritet të zgjerohet dhe borxhi ka të ngjarë të rritet”, citohet të ketë thënë mes tjerash ai.
Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, mirëpriti miratimin e ndihmës nga Fondi Monetar ndërkombëtar. Në një postim në faqen e tij në Facebook, ministri Bislimi tha se “ky financim vjen në një periudhë mjaft kritike për vendin, dhe me këtë rast Ministria e Financave dhe Transfereve vlerëson lart mobilizimin e shpejtë të ekipit teknik të FMN-së dhe aprovimin e menjëhershëm të këtij financimi nga Bordi Ekzekutiv. Në ditët dhe javët në vijim, presim edhe aprovime të financimeve nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare, si pjesë e mobilizimit tonë për gjetjen e burimeve shtesë të financimit, pas boshllëkut buxhetor, të krijuar nga ngjarjet e fundit”, shkroi zoti Bislimi.
Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një pako emergjente fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë eurosh, me anë të cilës synohet të mbështeten bizneset, skemat sociale dhe komunat.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë e kanë mirëpritur pakon e qeverisë por kanë kërkuar edhe më shumë mbështetje pasi që sipas tyre Kosova po humb rreth 10 milionë euro çdo ditë.
Parlamenti i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme me kërkesën e Partisë Demokratike në opozitë për të trajtuar një pako emergjente financiare për të lehtësuar dëmet e shkaktuara në ekonomi. Kjo parti ka hedhur propozimin e një pakete prej 320 milionë eurosh për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat, bizneset dhe gjitha kategoritë shoqërore që po përballen me pandeminë.
Facebook Forum