Lidhje

Digjet makina e nënkryetarit të parlamentit të Kosovës Slavko Simiç


Policia e Kosovës tha se natën ndërmjet së mërkurës dhe të enjtes është djegur makina e nënkryetarit të parlamentit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Slavko Simiç.

Incidenti ka ndodhur në oborrin e shtëpisë së tij në Leposaviç, një nga komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës.

Policia nuk dha hollësi të tjera rreth autorëve apo motiveve të mundshme të incidentit që nga prokuroria po trajtohet si "shkaktim i rrezikut të përgjithshëm".

Slvako Simiç, u zgjodh nënkryetar i parlamentit të Kosovës më 26 dhjetor.

Pak kohë më parë ai ishte emëruar nga Beogradi si kryetar i të ashtuquajturit "qark administrativ i Mitrovicës së Kosovës", një institucion paralel serb.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, dënoi incidentin. Në një komunikatë thuhet se zoti Konjufca “konsideron se akte të tilla kriminale, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe duke shkatërruar pasurinë e qytetarëve të Kosovës, përbëjnë shkelje të rëndë të rendit e të ligjit dhe si të tilla janë të dënueshme”. Ai u ka bërë thirrje organeve të rendit dhe të drejtësisë që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të zbardhur sa më shpejt rastin dhe për të venë para përgjegjësisë ligjore autorët e tij.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, e cilësoi incidentin si “një akt qyqar të atyre që besojnë se në këtë mënyrë mund të heshtin vullnetin e popullit serb në Kosovë".

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, u shpreh e shqetësuar me raportimet për sulmin ndaj pronës së nënkryetarit të parlamentit të Kosovës.

“Pres që policia të kryejë një hetim të shpejtë dhe të plotë në mënyrë që autorët të dalin para drejtësisë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG